Intervistë e Myftiut Imam Muhamed Sytari për portalin foldrejt.com

Intervistë e Myftiut Imam Muhamed Sytari për portalin foldrejt.com

Si u bëre hoxhë? Ku lindi dashuria për fenë e Zotit?

Pavarësisht faktit se unë kam lindur në periudhën, kur në Shqipëri feja ishte e ndaluar me ligj; nuk kishte xhami, as medrese, as hoxhallarë e libra feje, prania e gjyshit tim, i biri i një oficeri besnik i Sulltanit, nipi i një hoxhe firmëtar për mosndarjen e trojeve shqiptare, ishte e mjaftueshme që në veshët e mi të mos mungonin bekimet e përnatshme dhe shqiptimi i disa formulave jo të zakonshme, që me kalimin e kohës do të kuptoja se janë lutje në gjuhën e Kur’anit, me të cilat Zoti më tërhiqte drejt dashnisë së Tij dhe drejt një kaderi, sekretet e të cilit do të më shfaqeshin vite e dekada më pas!

Pas ceremonisë madhështore të 16 nëntorit 1990, të Xhamisë e Plumbit, aktiviteti i Bashkësisë Islame të Shqipërisë (asokohe), nisi të zhvillohej natyrshëm, me ç’rast, edhe me miratimin e familjes, u bëra pjesë e grupit të rinisë frekuentuese të xhamisë. Ishin ditë të paharrueshme, plot zell e entuziazëm, që i jepnin kuptim ditëve të mia dhe, dashje pa dashje, formësonin para syve të mi lidhjen me besimin dhe fenë time dhe të parëve të mi!

Ardhja në Shkodër e Hoxhës tonë famëmadh, H. Vehbi S. Gavoçi, që i ngjante një reje të bardhë e plot bekim që ecte mbi tokë, ishte hapi i fundit, pas të cilit, rruga drejt studimeve në Damask të Sirisë, ishte ajo çfarë ishte shkruar për mua dhe jetën time! Ishte vera e vitit 1993, kur për herë të parë do të udhëtoja drejt Damaskut…

Jam i bekuar nga Zoti i gjithësisë, për vitet më të mira të jetës, të kaluara në kryeqendrën e civilizimeve botërore, në shkollën më të madhe islame në Lindjen e Mesme, në djepin e urtësisë së Kryemyftiut të Madh të Sirisë, Hoxhës dhe Edukatorit tonë, H.T. Shejkh Ahmed Keftaro.

Cili është roli dhe cilat janë detyrat e hoxhës në komunitetin shqiptar?

Hoxha duhet të njohë mirë gjuhën e tij, shqipen; të lexojë historinë e vendit të tij; të njohë kulturën, etnografinë, politikën dhe të jetë në gjendje të ruajë ekuilibrat e fesë në raport me krejt sa përmenda më lart, duke qëndruar besnik i thirrjeve të urta kur’anore dhe traditave të dërguarit të Allahut, në raport me promovimin e tolerancës, harmonisë dhe bashkëjetesës në diversitet, në favor të harmonisë kombëtare, pa toleruar aspak prekjen e dinjitetit dhe krenarisë së tij legjitime!

Allahu i Madhëruar na ka falur shqiptar, me gjuhën tonë i lutemi, në këtë gjuhë thërrasim të tjerët në dritën e fesë islame, me ëmbëlsinë e saj shkruajmë librat dhe tekstet tona fetare, duke ruajtur me fanatizëm legjitim identitetin tonë kombëtar, që na bën të dallojmë në mesin e kombësive të tjera, me të cilët bashkëpunojmë për të nxjerrë në pah secili, detaje dhe veçori të përkatësisë së tij, siç urdhëron edhe në Kur’anin Famëlartë: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.” – (El-Huxhurat: 13)

Cilat janë sfidat me të cilat ballafaqohet një hoxhë në kohën moderne?

Ka sfida të shumta, me të cilat përballet një thirrës islam, një hoxhë, sot në shoqërinë tonë, a kudo qoftë. E para është, sfida e ruajtjes së dinjitetit dhe përkatësisë së tij! Pra, të mos harrojë asnjëherë se kush është dhe çfarë përfaqëson!

Pastaj, të punojë me krejt forcat e tij për të ruajtur ekuilibrat e teksteve fetare në raport me arsyen e shëndoshë, leximin e realitetit dhe gjetjen e kanaleve të urtësisë, nëpërmjet të cilave të qarkullojë lëndën kryesore të thirrjes së tij, për të qenë i kuptueshëm dhe për ta paraqitur fenë me aftësi dhe urtësi, larg interpretimeve të ngushta e tekanjoze, nxitimit e padijes, që shpesh bëhen shkak që feja të urrehet, të keqinterpretohet e të përdoret kundër vetë fetarëve, besimtarëve dhe njerëzve në masë.

Të tjerat, janë sfida të natyrshme, me të cilat duhet të përballet me qetësi e durim, duke ruajtur integritetin e tij, kufijtë e personalitetit dhe dritën e asaj që përfaqëson me misionin që bart mbi supe!

Çfarë mendoni për dialogun dhe harmoninë ndërfetare në shoqërinë shqiptare?

Është një proces i domosdoshëm në ruajtjen e ekuilibrit në shoqëri; për të cilin duhet të punojmë pa rezerva, si dhe të ruhemi maksimalisht nga kushdo që e keqpërdor këtë proces për të prishur ekuilibrat dhe për të krijuar situata të padëshiruara anarkike dhe për të evituar fenomenin e trajtimit selektiv, që shpesh e dëshmojmë në sjelljet (e papërgjegjshme) të politikës me fenë në trojet tona!

Shumë prej jush keni dëgjuar a lexuar për Kartën e Medines, marrëveshjen e Resulullahut (a.(s) me fiset jomuslimane, për të jetuar në harmoni e paqe me njëri-tjetrin. “Karta e Medines dhe pakti i nënshkruar me të krishterët e Nexhranit dhe rrethinat e tij, si marrëveshja e Omerit më vonë, u garantonin qytetarëve nga ithtarët e Librit një status të privilegjuar në shtetin islam. Profeti Muhammed (a.s) ua garantoi të drejtat e tyre duke i konsideruar se janë në besën e Zotit dhe të Muhammedit (a.s), të Dërguarit të Zotit…”.

Aty theksohet dukshëm se: “myslimanët dhe hebrenjtë në Medine, në shtetin e Pofetit Muhammed (a.s), konsiderohen si një komb i vetëm: “Hebrenjtë e Benu Auf janë qytetarë të një kombi bashkë me muslimanët. Hebrenjtë kanë fenë e tyre, kurse myslimanët fenë e tyre…”. Në këtë Kartë, ceket qartë theksimi që Islami i bën pranimit të diversitetit fetar…”.

Duke qenë se shqiptarët në përgjithësi janë popull musliman, është detyrë e tyre që, përtej çdo situate dhe çdo tentative për të ndryshuar ngjyresat e identitetit tonë fetar me çdo kusht, të ruajnë me fanatizëm e krenari ekuilibrin e harmonisë ndërfetare dhe respektimin e tjetrit dhe shenjtërive të tij, sikurse na urdhëron Kur’ani dhe sikurse na mëson i Dërguari i Allahut me shembullin e tij personal!

Më vjen ndër mend Hoxha i nderuar shkodran, Hafiz Musa Dërguti (1888-1961), që duke folur për persekutimin komunist ndaj tij, dëshmonte: “Më kërkojnë (komunistët) me folë për priftin, dojnë me na përça, e nesër me thanë se e pushkatuen priftin me dëshmitë e hoxhallarëve. U kam thanë bani çka të doni, se atë punë s’e baj kurrë!”

Pra, sot, e kemi për detyrë me e dashtë dhe me e respektuar njëri-tjetrin, jo të biem në zhargonin primitiv të nxitësve të urrejtjes në skutat e errëta të rrjeteve sociale, e ngjashëm me to!

Në Kosovë besimtarët praktikues të Islamit po ballafaqohen me sfida të shumta, që nga ndalimi i vajzave me mbulesë në shkolla, mungesa e vendeve të punës, paragjykimet nga shoqëria e të tjera. Besoj që me sfida të tilla pak a shumë ballafaqohen edhe pjesa tjetër e shqiptarëve në Shqipëri, Maqedoni të Veriut e Luginë të Preshevës. Si zgjidhje po shihet migrimi kryesisht në vendet perëndimore. Sa mendoni se është zgjidhje e duhur ky veprim, si dhe a është më lehtë të praktikohet Islami në perëndimi se sa në vendet tona?

Fillimisht, besoj se është përgjegjësi e institucioneve tona fetare në krejt trevat shqiptare, që ta ngrenë zërin më shumë në këtë drejtim. Duhet të ketë një observator të diskriminimit fetar dhe islamofobisë në Tiranë, në Prishtinë e në Shkup, nën drejtimin e bashkësive tona islame, për të mbikëqyrur çdo rast, për të kundërshtuar çdo shkelje flagrante dhe për të mbrojtur me çdo mundësi të drejtat legjitime, që shkelen aty-këtu, në hak të individëve të bashkësisë tonë fetare, kryesisht vajzave me hixhab! Është paradoks i madh dhe padrejtësi e pafalshme kjo që ka ndodhur në vendet tona në këto tre dekada!

Bashkësitë tona islame duhen falënderuar për shumëçka që bëjnë në ruajtjen e traditave dhe ekuilibrave në vendet tona, porse duhet të jenë edhe më aktivë në këtë drejtim, Allahu i shpërbleftë dhe i dhashtë mbarësi!

Rinia jonë nuk ka pse të largohet për shkak të persekutimit fetar, madje, as duhet ta themi këtë term (persekutim fetar), porse, në raste të shumta, po vërejmë se aty-këtu, dikush edhe largohet nga vendlindja e tij, i detyruar, për të ruajtur dinjitetin, tabanin dhe identitetin e tij, kur sheh se, as qeveria, askush tjetër nuk e mbështet në një a disa prej të drejtave të tij themelore!

Këtu kemi të bëjmë me krizën e vendeve në tranzicion, larg vlerave qytetëruese dhe standardeve të shoqërive të zhvilluara, ku njeriu respektohet për përzgjedhjet e veta dhe nuk diskriminohet. Kësisoj, shohim se edhe në Shtëpinë e Bardhë ka zyrtare me hixhab, edhe në Kongresin Amerikan, edhe në shumë prej kancelarive evropiane, në administratë, në politikë, në mjekësi, në shumë e shumë fusha të jetës, sepse në botën e qytetëruar respektohet njeriu dhe aftësia e tij, jo tendenca primitive dhe mesjetare e imponimit me dhunë, e kompleksit të inferioritetit dhe e shkeljes së të drejtave legjitime të njeriut!

Kam frikë se, për faj të papjekurisë politike (qofsha i gabuar), mungesës së besimit në Zot dhe ndërgjegjes së pastër, zhveshjes nga vlerat kombëtare dhe mbi të gjitha, zhbërjes së Njeriut, në sjelljen e shumë drejtuesve të padenjë në shoqërinë tonë, individi shqiptar arrin shpeshherë në një konstatim që e kam lexuar në një intervistë me shkrimtarin e madh Horhe Luis Borhes, që thotë: “Në vendin tim njerëzit janë zvetënuar nga politika. Do të kisha dashur të jetoja në një vend ku nuk do të kishte as dogana, as uniforma, as flamuj, as kazerma dhe as kisha, pra, në një botë ku nuk ka dallime midis vendeve, ku pasaporta nuk njihet dhe ku mosbesimi nuk ekziston. Por e di se në kohën tonë, kjo gjë është iluzion.”

Zhgënjimi nga i joti është i tmerrshëm, i pafalshëm, shkatërrimtar!

Myslimanët ishin të parët në shumë sfera të jetës, ku tashmë kanë ngecur prapa. Cilat janë shkaqet që ndodhi kjo përmbysje?

Ka një shprehje të urtë që e kam dëgjuar nga një mik i mirë, që nuk jeton më, vite më parë në Shkodër, që më thoshte: “I dashtuni Muhamed, nuk shkohet në xhami me abdesin e gjyshit!”

Në momentin që i këndojmë të shkuarës dhe personazheve të saj, duke mos respektuar hartën e përzgjedhur prej tyre për të arritur në majat më të larta të zhvillimit dhe civilizimit, patjetër që do të humbim rrugën dhe kushedi në çfarë labirinthesh do të hyjmë, duke humbur kohën, jetën dhe lidhjen reale me historinë dhe dëshmitë e lavdisë!

Zoti nuk i ndryshon ligjet e Tij për hatrin e tekave tona të sëmura!

Ndoshta e keni lexuar rastin, kur Hz. Omeri hyri një ditë në xhaminë e të Dërguarit dhe gjeti një djalë të ri që ishte kërrusur në lutje. I habitur e pyeti së çfarë bënte në xhami në atë orar (nuk ishte koha e faljes së namazit). I riu i tha se e kishin mbuluar hallet dhe po lutej. Hz. Omeri e udhëzoi të dilte e të punonte, duke i thënë se nga qielli nuk bie as flori, as argjend!

Të parët, nuk e ngatërronin përpjekjen për të arritur më të lartën, me hisen e adhurimeve në përditshmërinë e tyre. Ishin të vëmendshëm që çdo frymë e tyre të ishte në rrugën e fitimit të pëlqimeve të Allahut, Atij i mbështeteshin, punonin fort dhe luteshin për sukses!

Po dal në një temë tjetër. Po e shohim çfarë po ndodh në Gaza sot, çfarë mund të bëjnë myslimanët për t’i ndihmuar ata?

Gaza (Palestina, thuaj) janë sot, dëshmia më e madhe reale e prishjes së ekuilibrave mbi tokë! Standardet e dyfishta në trajtimin e kësaj barbarie të pashembullt, që nuk ka nisur para një muaji, por që e ka origjinën shumë dekada më parë dhe, që veç ka prodhuar shkatërrim dhe krime çnjerëzore mbi atë tokë të shenjtë dhe njerëzit e pafajshëm, janë maja e ajsbergut, ku përplasen krejt mendimet e botës së lirë, tekstet e shenjta, përpjekjet e qytetëruara dhe humanizmi!

Pushtimet e padrejta të çdo pëllëmbe toke, kudo qoftë, janë të dënueshme në Islam, nuk i pranon logjika e shëndoshë njerëzore dhe i refuzon pa asnjë hezitim!

Vrasja dhe bombardimi i spitaleve, xhamive, kishave, qendrave sociale, vendbanimeve masive e ngjashëm, janë krime lufte të dënueshme, që nuk mund të jenë kurrë veçori të shoqërive të zhvilluara e të civilizuara; ato janë dëshmi e ligjeve të xhunglës, ku dominon e drejta e forcës, jo forca e drejtësisë!

Detyra e besimtarit, është të lutet, të sensibilizohet maksimalisht me të prekurit dhe ata që e vuajnë këtë katastrofë dhe barbari, të bojkotojë çdo formë të mbështetjes së kësaj filozofie vrastare dhe shkatërrimtare për tokën dhe njeriun, si dhe të kontribuojë me sa të ketë mundësi në çdo formë legjitime për këtë çështje, që e tejkalon kufirin e fesë, kombit, krahinës a një rajoni të caktuar! Përndryshe, do të ishim njerëzim i sëmurë!

Mediat po akuzohen në mbarë botën se po raportojnë njëanshëm për konfliktin në Lindjen e Mesme. Me aq sa keni parë ju në mediat vendore dhe të huaja, a ka raportim të drejtë nga mediat për situatën atje?

Tashmë, mbarë bota është sensibilizuar dhe e ka parë të vërtetën me sy! Gjethet e fikut kanë rënë dhe e vërteta ka dalë lakuriq para syve të mbarë njerëzimit! Kudo, në çdo cep të globit, njerëzit janë ngritur për të kërkuar paqe dhe drejtësi për Palestinën martire. A ka vend të pyesim tashmë se si qëndrojnë mediat me raportimin e kësaj lufte, kur sa e sa gazetarëve që raportonin nga terreni, i doli na pah gënjeshtra?!

Jemi në fund të vitit 2023 dhe të dëgjosh dhe të shohësh se në harkun e një muaji janë shfarosur mbi dhjetë mijë vetë, në mesin e të cilëvë mijëra fëmijë e foshnje, sa e sa familje janë shuar totalisht, lagje të tëra janë kthyer në gërmadha, por jo vetëm; kjo do të thotë se kemi të bëjmë me gjenocid të hapur dhe me shkelje flagrante të çdo ligji të shenjtë e njerëzor! Pra, njerëzimi është në krizë totale!

Për fund. Cili është mesazhi i juaj për rininë shqiptare?

Mesazhi im, është që secili të shohë veten në pasqyrën e udhëzimit hyjnor, të respektojë kohën, ta shfrytëzojë atë, të bëjë më të mirën prej asaj që di të bëjë, duke u përpjekur pa tolerancë për të arritur përsosmërinë, për t’u bërë secili individ i vlefshëm për veten, familjen, shoqërinë, kombin dhe mbarë njerëzinë, sepse, sikurse e lexojmë edhe në hadith: “Krejt krijesat janë nevojtare të Allahut dhe më i dashuri i tyre për Të, është më i dobishmi i tyre për ta! ”.

Të marrim shembull në djemtë e rinj të sures “El-Kehf”, për të jetuar me dinjitet, për të punuar me ndershmëri, për të promovuar besimin, pastërtinë, moralin, mëshirën, virtytet, dijen, solidaritetin, përgjegjshmërinë, bujarinë, bamirësinë dhe krejt cilësitë e lavdëruara në tekstet tona fetare, prej ku marrim frymëzimin e duhur dhe të mjaftueshëm për të qenë çdo ditë më mirë, më lart e më të realizuar sesa dita që lamë pas!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 11/11/2023