Në të gjitha xhamitë e Shkodrës, mesazhe në prag të 33-vjetorit të rihapjes së xhamive
Me udhëzim të Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ditën e xhuma, më 10 nëntor 2023, në të gjitha xhamitë e Shkodrës, u mbajt hytbeja e xhumasë në prag të përkujtimit të datës historike të 16 nëntorit 1990, ku dhjetëra mijëra besimtarë e qytetarë të Shkodrës, por jo vetëm, u mblodhën tek Xhamia e Plumbit, për t’u bërë dëshmitarë të një ngjarjeje madhështore dhe të paharruar, me rastin e organizimit për hapjen e Xhamisë së Plumbit.
Nga xhamia e Parrucës, Myftiu Sytari, vuri theksin tek domosdoshmëria e përkujtimit të kësaj date, si një moment reflektimi, që na lidh me historinë tonë islame ndër shekuj, me përkushtimin dhe sakrificën e hoxhallarëve, me durimin dhe persekutimin e tyre dhe qëndresën burrërore para sprovës së tmerrshme të sistemit komunist!
Myftiu përmendi sakrificat dhe qëndresën e shumë hoxhallarëve, si dhe paralajmërimet e kahershme që ata i bënë popullit dhe masës nga rreziku i komunizmit.
Në këtë kontekst, Myftiu përmendi hoxhallarët e nderuar: Molla Veli Anamali, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ali Kraja, Hafiz Sabri Bushati, Hafiz Musa Dërguti, që u kthyen në shembuj dhe simbole të paharruar për të gjithë.
Njëkohësisht, Myftiu ftoi besimtarët që të mos harrojnë në lutje vëllezërit e tyre në Gaza dhe Palestinë, të cilët po masakrohen dhe po vriten barbarisht, pa mëshirë dhe jashtë çdo logjike dhe norme hyjnore dhe njerëzore!
* Hytbeja e xhumasë, mbajtur nga Imam Muhamed B. Sytari.