Tribunë shkencore mbi vlerat e familjes tradicionale në Islam
Paraditën e së enjtes, më 7/12/2023, Myftinia Shkodër në bashkëpunim me Medresenë “Haxhi Sheh Shamia”, organizoi bashkëbisedimin me teologun Besim Barbullushi, imam i xhamisë së Rusit, me rastin e prezantimit të librit të tij me titull: “Familja dhe edukata familjare e Muhammedit (a.s)”.
Aktiviteti shkencor mblodhi intelektualë, mësues të Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, drejtues të shoqatave aktive, imamë e maturantë të medresesë.
Sipas programit, teologu Arben Halluni, trajtoi temën e familjes tradicionale në Islam, duke marrë si pikënisje tezat e hedhura nga autori i librit: “Familja dhe edukata familjare e Muhammedit (a.s)”.
Poashtu, Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, shprehu falënderimet e tij për këtë bashkëpunim të dobishëm në mes Myftinisë Shkodër dhe Medresesë së saj, në kuadër të një tribune shkencore me një temë aktuale.
Myftiu vlerësoi edhe punën e autorit, sikurse hodhi dritë rreth rëndësisë që ka edukimi i fëmijëve në Islam dhe rolin e familjes në këtë proces.
Me shumë interes u ndoq edhe fjala e z. Kujtim Dervishi, drejtor i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, ku u përqendrua te vlerat e librit në funksion të edukimit të brezit të ri me frymën e besimit dhe trashëgimisë së pasur të tabanit kombëtar.
Fjala e autorit, Mr. Besim Barbullushi, nxori në pah vlerën reale të librit të ndarë në katër kapituj, ku lexuesi ka mundësinë të mësojë përherë e më shumë mbi karakterin e edukimit të familjes në dritën e trashëgimisë së të Dërguarit të Allahut, Hz. Muhammedit (a.s).
Ai tregoi edhe për detaje me shumë rëndësi të punës së tij për të arritur në përfundimin e asaj që është grumbulluar në këtë libër, ku siç e shprehu edhe gjatë fjalës së tij, do të pasohet me një tjetër botim në vazhdën e një cikli të dobishëm rreth edukimit në familje.
Në përfundim të aktivitetit u bë edhe shpërndarja e librit, si dhuratë nga Myftinia Shkodër.