E xhumaja e fundit në xhaminë aktuale të lagjes Tophanë
E xhumaja e datës 22 dhjetor 2023, do të mbahet mend si e fundit në faltoren e lagjes Tophanë, të periudhës 1996-2023.
Lajmin e bëri nga hytbeja e xhumasë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili iu drejtua besimtarëve me një mesazh falënderimi, me shumë mirënjohje dhe me një homazh për imamët, muezinët, hatibët, vaizët dhe bamirësit e kësaj xhamie.
Myftiu tha se xhamia e parë në lagjen Tophanë është ndërtuar në vitin 1617, me shpenzimet e Mustafa efendiut.
Ndërkohë, përmendi edhe disa prej hoxhallarëve të shquar që kanë shërbyer në këtë xhami, si: Hafiz Halil Tophana i 1-rë (1793-1878), i biri Hafiz Salo Hafizi, hatibi Hasan Abdyl Spahia, Hafiz Halil Salo Tophana (1884-1958), Hafiz Halil Ymer Shami (1886-1958), Hafiz Halim Hajdari (1891-1965), etj.
Njëkohësisht, shprehu mirënjohje dhe lutje për Kryemyftiun Hafiz Sabri Koçi, në kohën e të cilit nisi xhamia aktuale e Tophanës, si dhe për myftilerët e nderuar: H. Faik Hoxha, H. Bashkim Bajraktari, Imam Ndriçim Sulejmani dhe studiuesin Ermal Nurja.
Myftiu bëri edhe lutjen e fundit në këtë të xhuma të shënuar dhe kërkoi mirëkuptimin e besimtarëve të lagjes Tophanë, të cilët, nga dita e shtunë, do të mund të kryejnë faljen e namazeve ditore në xhaminë e Medresesë, a në xhaminë e “Dy Vajzave”.