Vijojnë punimet në prag të gurthemelit të xhamisë së re në lagjen Tophanë

Vijojnë punimet në prag të gurthemelit të xhamisë së re në lagjen Tophanë

Nga dita e xhuma, më 22 dhjetor 2023, vijojnë punimet për lirimin e ambienteve të xhamisë aktuale të lagjes Tophanë, punime që do të vazhdojnë me hedhjen e objektit aktual dhe përgatitjen e terrenit për gurthemelin e projektit të ri bashkëkohor për xhaminë e re në Tophanë.

Vlen të theksohet se xhamia aktuale e Tophanës, ka nisur ndërtimin në vitin 1996, ndërsa inaugurimi i saj është bërë nga Hafiz Sabri Koçi, më 10 korrik 1997.

Gjatë periudhës vënë viteve 2004-2008, xhamia aktuale e Tophanës ka dëshmuar disa herë restaurime të dukshme, për të cilat duhen falënderuar dhuruesit e nderuar, pjesë aktive e xhematit të kësaj xhamie.

Më herët, në shkurt të vitit 2009, Imam Muhamed B. Sytari, sot, Myfti i Zonës Shkodër, ka nxjerrë në dritë librin me titull: “Rrugëtime të një hatibi”, ku ka mbledhur fakte interesante mbi historinë e aktivitetit të kësaj xhamie, periudhën e errët komuniste dhe propagandën antiislame, si dhe gjurmë të aktivitetit të larmishëm në këtë xhami, sidomos në periudhën 1998-2008.

Myftinia Shkodër, falënderon ekipin e vullnetarëve, që po punojnë me përkushtim për të përgatitur terrenin e duhur për vazhdimësinë normale të punimeve, pas marrëveshjes me donatorin, “Qatar Charity” dhe lejes zyrtare nga Bashkia Shkodër.