Sihariq!

Sihariq!

Myftinia Shkodër, ka kënaqësinë e madhe t’ju bëjë me dije, se pas disa përpjekjesh për të siguruar një projekt të denjë për xhaminë e re të lagjes Tophanë, falë bashkëpunimit me “Qatar Charity”, tashmë çdo detaj i projektit të ri, përfshi miratimin nga Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, lejen e ndërtimit nga Bashkia Shkodër dhe sigurimin e mjeteve të duhura për zhvillimin normal të punimeve, janë plotësuar.

Gjatë javës që shkoi, nisën punimet e para për lirimin e objektit të xhamisë dhe përgatitjen e terrenit për nisjen normale të punimeve intensive.

Historikisht, lagjja e Tophanës ka pasur xhaminë e saj, e para e të cilave, u ndërtua në vitin e largët 1617.

Nga ajo kohë e deri më sot, xhamia ka qenë pikë referimi për besimtarët dhe qytetarët shkodranë.

Në vitin 1996, nisi puna për ndërtimin e xhamisë së re të lagjes, në hapësirat e mbetura të vakëfit të gjerë të kësaj lagjeje.

Përtej mirëmbajtjes dhe ndërhyrjeve të shpeshta të bëra në atë objekt, Myftinia Shkodër gjykoi se xhamia kishte nevojë të zëvendësohej me një të re, në shërbim të qëllimeve të aktivitetit të saj.

Pjesë e projektit të ri, do të jetë edhe pjesa e mbetur e portikut të vjetër të xhamisë Tophanë, që sipas marrëveshjes së hershme me donatorin, do të integrohet në ndërtimin e ri, si një gjurmë e respektuar e trashëgimisë sonë të vjetër islame.

Allahut i lutemi për mbarësi dhe suksese.

Myftinia Shkodër shpreh mirënjohje dhe respekt për krejt besimtarët dhe qytetarët e interesuar për xhaminë e re, projektin e saj dhe dëshirën për të kontribuuar vullnetarisht për çdo nevojë të mundshme në këtë rrugëtim të begatë!

Me mbarësi dhe bekime!