Myftiu Sytari ligjëroi në disa xhami shqiptare në Zvicër
Me ftesë të Xhamisë së Wilit në Zvicër dhe imamit të saj të nderuar, Mr. Bekim Alimi, gjatë datave 15-17 shkurt 2024, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në aktivitetet e zhvilluara nga komuniteti shqiptar në Zvicër, edhe me rastin e 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Fillimisht, ditën e xhuma, më 16/2/2024, Myftiu Sytari ligjëroi para hytbes së xhumasë, në xhaminë e Wilit, ku sipas programit, u përqendrua tek përgatitjet e besimtarëve në prag të Muajit Ramazan.
Ndërkohë, në darkë, ligjëroi në tribunën fetare të organizuar nga Xhamia Shqiptare në Salmsach në Romanshorn, ku hodhi dritë mbi cilësitë e besimtarëve në Kur’anin Famëlartë.
Ditën e shtunë, më 17/2/2024, Myftiu i Shkodrës ishte mik i Bashkësisë Islame Shqiptare “Hëna e Re” në Kreuzlingen, ku ligjlroi rreth tolerancës ndërfetare, si veçori e spikatur tek shqiptarët.
Poashtu, Myftiu mori pjesë edhe në organizimin vjetor të Xhamisë së Wilit, me rastin e pavarësisë së Kosovës, ku referoi rreth kontributit të hoxhallarëve shqiptarë për çështjen kombëtare.
Gjatë kësaj vizite, Myftiu pati takime dhe bashkëbisedime vëllazërore me kolegët dhe vëllezërit e tij, Imam Bekim Alimi (Wil), Dr. Mixhit Osmani (Romanshorn), Mr. Rehan Neziri (Kreuzlingen), H. Enes Koshi (Wil), etj., me të cilët diskutoi për tematika të ndryshme me interes të përbashkët.