I lidhur pas një Dashnie, që tejkalon përmasat e gjithësisë!

I lidhur pas një Dashnie, që tejkalon përmasat e gjithësisë!

Me ftesë të Myftinisë së Matit, Myftiut të nderuar, Mr. Agim Tereziu dhe xhematit të xhamisë së Burrelit, mora pjesë sot në aktivitetin që i paraprin Muajit të Begatë të Ramazanit 1445, që u zhvillua në Pallatin e Kulturës së Burrelit.

Një aktivitet shembullor, në mesin e një komuniteti vlerash, që duhen mbështetur pa asnjë rezervë dhe që duhet të na zgjojnë nga hutimi që na kaplon, duke na penguar të shohim e të prekim nga afër realitetet e myftinive dhe besimtarëve tanë në çdo cep të këtij nënqielli të bekuar!

1.

Detaje të shumta, që më lanë përshtypje, sillen të freskëta para syve të mi, tashmë që kam mbërritur në Shkodër dhe, bri librotekës sime po rreshtoj këto fjalë, si mirënjohje dhe falënderim!

Rruga nga Shkodra drejt Burrelit, në pamje të parë, nuk merr më shumë se 2 orë, porse në realitet, duhet të jesh shumë i kujdesshëm në një pjesë të mirë të këtij rrugëtimi, sidomos në ato pjesë, ku akoma sot, mureve mbrojtëse të rrugës, vazhdon të lexosh: “Lavdi marksizëm-leninizmit”, e ndonjë tjetër parullë të ngjashme, që akoma mban gjallë në heshtje shenjat e një kohe e një sistemi, gati-gati të pabesueshëm, por realitet konfuz…

Është mahnitëse ajo që të shohin sytë, prej peisazheve të natyrës së pasur, me të cilën na ka bekuar Zoti.

Male të larta, fusha të gjera e pjellore, ngjyra e aroma, që të falin qetësi përgjatë rrugës, përtej kënaqësisë së shoqërisë së mirë, në makinën tonë.

Pamje e tabllo, që më sjellin ndër mend poetin e madh të kombit, Naim bej Frashërin, kur shkruan plot mall:

Të munjam të fluturonja

E të kisha krahë si ti!

Me gaz të math do t’i vinjam

Shqipërisë brenda në gji!

Për me marrë drejt Shkumbinë

Edh’ Elbasan e Tiranën,

E me ardhë ke ti, o Shkodrë

Të shoh Drinin e Bujanën!

2.

U takuam me Myftiun dhe vëllezërit e tjerë, pak para hyrjes në ambientet e Pallatit të Kulturës. Nuk besoj se do të ketë në Shqipëri, një vend më të bukur e lulishte më piktoreske sesa Bulevardi Geraldina, vakëf i Nanës Mbretneshë, në zemër të cilës qëndron “Xhamia blu” e Burrelit, në hapësirat e së cilës, dominojnë zërat e fëmijëve që vijnë me prindërit e tyre, jo vetëm për të falur namazin…

Ajër i pastër dhe i freskët, aroma e pemëve shumëvjeçare, që edhe pse kanë lëshuar shtat, qëndrojnë përulshëm në huzur të Shtëpisë së Zotit dhe besimtarëve, që e mbajnë gjallë besnikërisht!

3.

Në sallën e mbushur, ka besimtarë të moshave të ndryshme. Mbi të gjitha ka fytyra të qeshur dhe qetësi tubimesh serioze. Ka ardhur edhe Kryetari i Bashkisë, që me respekt na përshëndet dhe për pak këmbejmë një bashkëbisedim në kufijtë e respektit dhe etikës së eventit.

Më vonë, me Kryetarin e Bashkisë së Matit, z. Agron Malaj, do të kishim kënaqësinë të këmbenim edhe një bisedë me vlerë, rreth kontributit të zotërisë së tij për xhaminë, komunitetin dhe Myftininë, gjë që ma shtoi edhe më shumë respektin dhe vlerësimin për kontributin e tij.

Më shijoi ndjeja dhe kafja turke me Kryetarin dhe Myftiun, pas aktivitetit. Mbi të gjitha, këmbëngulja e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të qytetit, në terma të interesit të përbashkët dhe natyrës së përkushtimit të secilit në pozitën e vet.

4.

Pas leximit të një pjese kur’anore, një materiali dokumentar me qëllim udhëzues rreth vlerave të Ramazanit, shfaqur nëpërmjet ekranit të madh dhe fjalëve të rastit, më shijoi tejmase paraqitja e studiuesit Behar Kaceli, i cili pati mirësinë të shpërndante me ne detaje dhe copëza të kristalta të historisë së dokumentuar nga arkivat osmane, rreth historikut të pasur të Islamit, hoxhallarëve dhe personaliteteve të shquara të arsimit matjan, përgjatë rrjedhave të shekujve.

Një histori, që zakonisht fshihet; fakte që s’para i dëgjon, ashtu siç shkruhen, por ashtu si i shkon për shtat shumë konjukturave në këtë vend, që prej dekadash, kanë shtrembëruar të vërtetat e mëdha, kanë ngritur në piedestale emra të pamerituar e kanë fshehur sa e sa pash nën dhé, emra burrash të urtë arnautë, që për shekuj e shekuj i falën botës drejtësi, qytetërim e ekuilibra!

5.

Për herë të parë, e gjeta veten para një salle të mbushur me sy e zemra të drejtuar nga i ftuari nga Shkodra. Më falën dritë e më ngrohu pamja e tyre, prej ku, nisa të flas rreth një teme, që na ngacmon të gjithëve, pak ditë para fillimit të Ramazanit të sivjetshëm e, që pas ajeteve e haditheve, mesazheve dhe komenteve elitare, u mbyllën me vargjet e të urtit Ferit Vokopola, që në vitin e largët 1927, teksa përshkruante “Hanën e Ramazanit”, shkruante:

Derdhe o Dritë atë begati,

Qi t’a fali Zoti për mirësi,

Neve të bindun na ke gadi,

Qi të vish ç’do Vit me mbarësi…

6.

Bashkëbisedimi me organizatorët, stafin e Myftinisë dhe imamë e muezinë të nderuar të këtij qyteti, vazhdoi edhe në sofrën bujare të mikpritësit.

Më shijoi njohja me personazhe dhe karaktere, informacione me vlerë dhe kujtime, që në tërësinë e tyre përkthejnë më së miri shpirtin e madh të kësaj feje të madhnueshme islame, me të cilën, Krijuesi ynë, na zbukuroi jetën, na fali udhëzim e, me mëshirën e Tij, vazhdon të na mbajë të lidhur pas një Dashnie, që tejkalon përmasat e gjithësisë, por që rrezaton ëmbël nga çdo zemër besimtari.

Sot, në mesin e vëllezërve të dashur në Mat, pata kënaqësinë të rrethohem nga ky rrezatim i paqtë i kësaj Dashnie, me dritën e së cilës po rreshtoj edhe këto harfe të mbledhura në këto mbresa plot mirënjohje e falënderim!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 3/3/2024