Promovohet libri me dy vëllime “Këshilla Minberi”
Pasditën e xhuma, më 23 shkurt 2024, Myftinia Shkodër organizoi në xhaminë Perash, promovimin e librit më dy vëllime “Këshilla Minberi”, me autor Adem Shahini, imam-hatib i xhamisë Perash.
Në këtë aktivitet morën pjesë Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari së bashku më stafin e tij, imamë, teologë, familjarë e të afërm të autorit, miq e dashamirë të librit, etj.
Fillimisht, fjalën e hapjes e mbajti teologu Arben Halluni, ku mes të tjerave tha se: Ky aktivitet që vjen në kuadër të Tre Muajve të Mirë, ka si qëllim të spikatë rëndësia e minberit të këshillave dhe mesazheve islame gjatë hytbeve të xhumasë si dhe për dobinë që sjellin ato tek besimtarët, të cilët i përkushtohen etikës së prezantimit, dëgjimit dhe respektit në përgjithësi të kësaj tribunë të vyer fetare.
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari në fjalën e tij, pasi uroi dhe përgëzoi imamin e xhamisë së Perashit, H. Adem Shahni, theksoi se: “Autori përmes këtij botimi me dy vëllime jo vetëm që ka pasuruar bibliotekën e gjithsecilit me tema të dobishme, por ka sjell në vëmendje se sa rëndësi dhe vlerë ka minberi i hytbes, i cili është një nga simbolet e Islamit dhe mbi të gjitha trashëgimi e Pejgamberit tonë të dashur (a.s)”.
Një vështrim mbi librin dhe vlerat e tij, ishte referati i mbajtur nga imami i xhamisë së Dërgutit, Ensar Ismajlaj, i cili u ndal te rëndësia e librit, i cili sipas tij pasqyron tema të përzgjedhura të besimit, adhurimit, moralit, ngjarjeve të ndryshme islame, sipas kohës dhe situatave. H. Ismajlaj gjithashtu vuri në dukje edhe metodologjinë e autorit, mesazhet dhe konkluzionet që dalin nga secila temë dhe këshillë e minberit të hytbes së xhuma.
Me shumë kënaqësi, u prit fjala e autorit, Adem Shahini, i cili falënderoi Myftininë e Shkodrës dhe në veçanti Myftiun për organizmin e këtij promovimi, bashkëpunëtorët e tij që bënë të mundur daljen në dritë të këtyre botimeve si dhe familjen për përkrahjen dhe mëkimin e tyre për t’i shërbyer thirrjes islame me metodat më të mira të mundshme.
Aktiviteti u përshëndet edhe nga prof. Ahmed Boriçi, i cili uroi autorin për botimin e këtyre dy librave dhe përfitimin që ai ka përjetuar edhe gjatë dëgjimit të këshillave në hytbet e ndryshme të ditëve të xhuma.
Në fund të aktivitetit, për pjesëmarrësit u shpërnda falas libri i ri i promovuar “Këshilla Minberi”.