Një Ramazan i mbarë me bekimet e banorëve të “Shtëpisë së të Moshuarve”, Shkodër

Një Ramazan i mbarë me bekimet e banorëve të “Shtëpisë së të Moshuarve”, Shkodër

Ditën e mërkurë, më 6 mars 2024, Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari dhe Drejtori i Fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja, në mikpritjen e Drejtorit të “Shtëpisë së të Moshuarve”, Shkodër, z. Fatjon Hoxha, dhanë mesazhe me vlerë, në një takim të përzemërt me banorët e “Shtëpisë së të Moshuarve”, Shkodër, në prag të Muajit Ramazan.

Qëllimi i kësaj vizite ishte dorëzimi i një kontingjenti të konsiderueshëm pakosh ushqimore dhe batanijesh për të moshuarit, në prag të Muajit të Begatë.

Të rrethuar nga emocionet e këtij takimi dhe vizite të veçantë, Myftiu Sytari dhe z. Korab Kaja, dhanë mesazhe solidariteti dhe mbështetjeje për këtë institucion dhe banorët e tij, sikurse bënë apel për më shumë përkujdesje dhe respekt për moshën e tretë, për prindin dhe gjyshërit, që janë derë bekimesh në mes nesh.

U theksua se lutjet dhe bekimet e nënave dhe baballarëve, janë garancia më e mirë për fillimin e në Muaji plot mëshirë e falje, bamirësi e paqe në mesin e njerëzve.

U shprehën falënderime për institucionet bamirëse të Shtetit të Kuvajtit, ndihma e të cilëve është e dukshme ndër vite.

Nga ana e tij, drejtori Hoxha, falënderoi këtë kontribut të ardhur nga Fondacioni “Mirësia” dhe shprehu mirënjohjen e tij për këtë bashkëpunim me vlerë.