“Ramazan Mubarek!” – Tribunë fetare në zonën Ana e Malit
Pasditën e ditës së mërkurës, më 6 mars 2024, Myftinia Shkodër organizoi në prag të muajit të madhëruar të Ramazanit një tribunë fetare në qendër të Anës së Malit, në Oblikë, me pjesëmarrjen e vëllezërve dhe motrave besimtare, si dhe të nxënësve të mejtepeve fetare të zonës.
Aktiviteti me temë: “Ramazan Mubarek!” filloi me leximin e disa ajeteve të Kur’anit Famëlartë nga z. Nimet Gallube dhe me hapjen nga drejtuesi i arsimit, teologu Arben Halluni.
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, në fjalën dhe mesazhet e tij, ndër të tjera, tha se: “Muaji i Ramazanit është mundësi për të dëshmuar para Allahut (xh.sh) veten musliman në mënyrë të heshtur, por duke u privuar nga ndalesat e agjërimit, por jo vetëm, mbi të gjitha të ruajmë gjuhën, fjalën, mos të bëhemi përçarës dhe cytës gjatë periudhës së agjërimit dhe pikërisht për këtë Allahu (xh.sh) thotë: Agjërimi është i Imi dhe Unë e shpërblej atë!”
Myftiu dha edhe mesazhin e ruajtjes së tabanit të shoqërisë që është familja, e cila më shumë se asnjë herë tjetër gjatë muajit të Ramazanit duhet konsoliduar dhe forcuar, me respektin më të madh ndaj baballarëve dhe nënave tona të nderuara.
Ndërsa, H. Idmir Plaku , imami i xhamisë “Ebu Bekër”, mbajti kumtesën me temë: “Ramazani, muaji i mundësive të mëdha”, i cili nënvizoi disa udhëzime, këshilla dhe rregulla që duhet të kihen në vëmendje nga çdo agjërues dhe besimtar për të kryer dhe përfituar çdo mundësi kryerjeje adhurimi dhe lutjeje që janë të pranishme gjatë gjithë muajit të begatë të Ramazanit.
Më pas, aktiviteti vijoi me këndimin e disa ilahive dhe ceremoninë e shpërndarjes së çertifikatave vlerësuese dhe dhuratave për 20 nxënës të mejtepit fetar, të Qendrës Kulturore, pranë xhamisë Oblikë, që kanë arritur përmes mësueses së përkushtuar znj. Kimete Elezi, të mësojnë hyrjen në leximin e Kur’anit Famëlartë si dhe për përgatitjen e spikatur arsimore dhe nivelin e lartë të njohurive fetare.
Aktiviteti që u ndoq edhe përmes rrjeteve sociale të Myftinisë Shkodër dhe u përmbyll me një koktej, si dhe me faljen e namazit të akshamit në xhaminë e Oblikës.