Namazi i teravisë, tradita shekullore e netëve të Ramazanit

Namazi i teravisë, tradita shekullore e netëve të Ramazanit

Prej veçorive të Muajit Ramazan, është edhe namazi i teravisë, të cilin na e mësoi Resulullahu (a.s) dhe e bëri traditë për ne.

Nga ato netë të begata e deri më sot, në mbarë botën islame, namazi i teravisë i fton besimtarët për të qenë bashkërisht në xhami, siç edhe sahabët dhe brezat pas tyre vepronin.

Me hyrjen e Hënës së re të Ramazanit 1445, në të gjitha xhamitë e Shkodrës, imamët iu drejtuan besimtarëve me këshilla të dobishme për fillimin e Muajit, si dhe udhëzime të domosdoshme rreth tij.

Poashtu, besimtarë të shumtë mbushën xhamitë, si traditë e kahershme e qytetarëve shkodranë, duke shijuar namazin e teravisë dhe lutjet e fillimit të Ramazanit.

Mesazhin e tij të këtij fillim Ramazani, e dha edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili, si çdo vit, shëtit në xhami të ndryshme të qytetit dhe të fshatit, për t’u takuar me besimtarët dhe për të dhënë mesazhet dhe këshillat e tij në këtë periudhë të begatë.

Myftinia Shkodër ju fton që të gjallërojmë xhamitë dhe në veçanti falënderon prindërit që marrin edhe fëmijët e tyre në xhami, duke ia shtuar bukurinë dhe gëzimin këtij Muaji Mubarek!