Myftiu i Shkodrës, i ftuar i Bashkësisë Islame Shqiptare “Al-Shems” në Zvicër

Myftiu i Shkodrës, i ftuar i Bashkësisë Islame Shqiptare “Al-Shems” në Zvicër

Me ftesë të Bashkësisë Islame Shqiptare “Al-Shems”, në Rebstein të Zvicrës, gjatë datave 15-17 mars 2024, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e Muajit të Begatë të Ramazanit.

Gjatë qëndrimit të tij në Rebstein, Myftiu Sytari, ligjëroi ditën e xhuma, ku mbajti edhe hytben e xhumasë, duke iu drejtuar besimtarëve të shumtë të kësaj qendre, me mesazhe që kanë të bëjnë me vlerat dhe dobitë e agjërimit dhe frymës së pastërtisë, besimit, bamirësisë dhe virtyteve që forcohen dhe dalin në pah edhe më shumë gjatë Muajit të Ramazanit.

Myftiu i Shkodrës, ishte i ftuar edhe në tribunën fetare, që u organizua ditën e shtunë, më 16 mars 2024, aktivitet që mblodhi shumë të rinj shqiptarë, që jetojnë e veprojnë në qytete të ndryshme të Zvicrës.

Gjatë kësaj vizite, i shoqëruar edhe nga Kryetari i B.I.Shqiptare “Al-Shems”, H. Yzeir Avdiu, Myftiu vizitoi edhe B.I.Shqiptare “El-Hidaje”, ku mbajti edhe një ligjëratë për besimtarët e shumtë të kësaj xhamie, ku shqiptarët, prej dekadash zhvillojnë aktivitetin e tyre fetar, duke e kthyer atë në një qendër të rëndësishme të jetës fetare dhe mësimit në gjuhën shqipe.

Gjatë këtij udhëtimi, Myftiu i Shkodrës, u takua edhe me Kryetarin e Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër, të nderuarin, H. Mehas Alija, me të cilin ndau edhe urimet dhe lutjet e Muajit Ramazan.