Paraditën e së enjtes, më 17 nëntor 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim pune, Nënkryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Gazmend Aga, që shoqërohej edhe nga z. Astrit Zharri, Drejtor i Arsimit në KMSh dhe z. Oltion Kola.
Gjatë kësaj vizite, Myftiu informoi Nënkryetarin Aga për aktivitetin e Myftinisë Shkodër, zhvillimet e reja të vakëfit, pozitën dhe qëndrimet e Myftinisë Shkodër ndaj realiteteve dhe situatave të ndryshme sociale, kulturore, fetare, ndërfetare e përtej tyre.
U zhvillua një analizë e detajuar e aktivitetit fetar, arsimor, botues, thirrës e bamirës të Myftinisë Shkodër, ku u dhanë informacionet e dokumentuara e të arkivuara mbi ecurinë e punës në terren.
Nënkryetari Aga, konfirmoi edhe një herë angazhimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në rrugëtimet e tij për ruajtjen e interesave të muslimanëve dhe përmirësimin e infrastrukturës së Thirrjes Islame në rang kombëtar.