Paraditën e së martës, më 22 nëntor 2016, Myftinia Shkodër organizoi seminarin me temë: “Imamët, pishtarë të udhëzimit”, ku merrnin pjesë imamët e Myftinisë Shkodër.
I ftuar special i këtij seminari me vlerë, ishte studiuesi islam dhe thirrësi i afirmuar nga Jordania, Dr. Xhemal Safarti.
Aktiviteti u përshëndet edhe nga z. Lauren Luli, kryevaiz i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Në fjalën e tij, z. Luli theksoi se përgjegjësia e imamëve në kultivimin e vlerave islame dhe përkujdesjen ndaj tyre është shumë e madhe.
Më pas, Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, falënderoi imamët e pranishëm për kontributet e tyre të vazhdueshme, edhe në kushte të vështira. Ai tha se imamët e Myftinisë Shkodër janë shembull pozitiv edhe në rang kombëtar, për punën e vazhdueshme dhe rezultatet e dëshmuara në shërbimet e Thirrjes Islame.
Myftiu përgënjeshtroi lajmet e përhapura nga ndonjë prej mediave kombëtare, se në Shkodër ka xhami jashtë juridiksionit të Myftinisë. “Nuk është aspak e vërtetë ajo që keni dëgjuar nga media se në qytetin tonë ka xhami jashtë juridiksionit tonë! Ky është një banalitet, me të cilin po luhet trashë në rang kombëtar! Dhe, do të theksoj edhe një herë para jush, se modelet e shërbimeve të prodhuara kryesisht nga imamët tanë, vlejnë si shembull kombëtar!” -, tha Myftiu i Shkodrës.
Më pas, Dr. Xhemal Safarti, mbajti një leksion plot vlera, ku shpjegoi rolin e imamëve në përhapjen e vlerave islame, edukatën, moralin, durimin dhe shembullin e të jetuarit me Islam në shoqëri.
“Imami është personaliteti kryesor i botës tonë islame, pikëreferimi ynë, mësuesi ynë, shembulli për t’u pasuar në çdo moral, sjellje e fjalë! A e justifikojmë sot, ne si imamë këtë përgjegjësi?” -, theksoi Dr. Safarti.
Seminari vazhdoi me ndërhyrjet e imamëve, bashkëbisedimet dhe pyetje-përgjigje rreth temës.