Ditën e hënë, më 12 dhjetor 2016, pas namazit të iqindisë, në xhaminë e Madhe, “Ebu Bekër”, në Fushë Çelë, Myftinia Shkodër nisi maratonën e aktiviteteve të larmishme 14 ditore, me rastin e përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s), dërgesës së tij mëshirë dhe përhapjes së shembullit të tij të lartë, si alternativë suksesi dhe balasam shërues në çdo kohë.
Aktiviteti i ditës së sotme, u përqendrua tek ligjërata e teologut të nderuar, H. Gilman Kazazi, me temë: “Unë jam mëshirë e dhuruar…”, ku ligjëruesi solli me dhjetra shembuj të goditur nga Kur’ani dhe jeta praktike e Hz. Muhammedit (a.s), që vërtetojnë madhështinë e Vulës së të dërguarve dhe mëshirën e tij (a.s) për njeriun, kafshën, bimën, gjithësinë, muslimanin, jomuslimanin, mikun e armikun.
Ndër të tjera theksoi se, “Nëse All-llahu është Mëshirues, Libri i Tij, Kur’ani, udhëzim e mëshirë, i dërguari i Tij, Hz. Muhammedi (a.s), mëshirë, atëherë, po muslimani si mund të jetë tjetër, veçse reflektim i këtij shembulli të mrekullueshëm!”
Më parë, teologu Lavdrim Hamja, imam i xhamisë së “Dy Vajzave”, mbajti një fjalë hyrëse, ku shpjegoi se ardhja e Hz. Muhammedit (a.s) në këtë botë ishte një moment shpëtimi dhe mëshire nga Zoti për mbarë gjithësinë.
Aktivitetin e përshëndetën edhe Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Shkodrës dhe H. Edmir Smajlaj, Myfti i Malësisë së Madhe.
Në mesazhet e tyre, u përcoll fryma e domosdoshmërisë së thellimit të vazhdueshëm në leximin e jetës së Hz. Muhammedit (a.s), praktikimit të mësimeve të tij dhe ndjekjes së shembullit të tij, si modeli më garant për realizimin e paqes dhe mëshirës dhe, si praktika besimore e jetuar më e begatë për jetën e njeriut.