Ekstremizmi me matricën e fesë dhe patriotizmit, është mjerim!
Ligjërata e Kurban Bajramit 1445 | 2024
Imam Didmar Faja, Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar të Arizonës dhe Imam i United Islamic Center of Arizona – ShBA
Të nderuar besimtarë!
Ngjarja e Ibrahimit (a.s.) dhe e djalit të tij Ismailit (a.s), përmban disa pika të rëndësishme në marrëdhëniet tona me njerëzit dhe Krijuesin.
Si pikë e parë, dëshiroj t’ua kujtoj se myslimani duhet të jetë i paluhatshëm në fe dhe të mos bie viktimë e djallit dhe ushtarëve të tij. Dua ta lidhi këtë, me historinë kur djalli i mallkuar iu shfaq Hz. Ibrahimit (a.s) duke u munduar ta ndalojë nga përmbushja e obligimit hyjnor. Hz. Ibrahim (a.s) e kundërshtoi atë tre herë rresht. Ashtu edhe me njeriun, djalli mundohet gjithmonë ta largojë nga rruga e drejtë, duke i ngulitur mendime se Islami është fe e vështirë të praktikohet, ose duke ia zbukuruar aq shumë jetën e kësaj bote, deri sa ai të kthehet viktimë i epsheve të tij dhe të humbasë jetën e amshueshme. Gjithashtu, ka raste kur djalli frymëzon ushtarët e tij të prishin individin dhe shoqërinë përmes shthurjes, përçarjes dhe prishjes së moralit dhe intelektit të shëndoshë. Allahu (xh.sh), në Kur’anin e Tij Famëlartë paralajmëron: “Vallë, a nuk ju kam urdhëruar, o bijtë e Ademit, që të mos e adhuroni djallin, se ai është vërtet armik i hapur i juaji, por të më adhuroni vetëm Mua?! Kjo është rruga e drejtë. Sigurisht që ai (djalli) ka dërguar në humbje një numër të madh prej jush; vallë a nuk mendoni?!” Kurani (36:60-62).
Të dashur vëllezër dhe motra!
Si pikë e dytë, ngjarja e Ibrahimit (a.s.) dhe e birit të tij na tregon se pa sakrificë nuk mund të arrihen fitoret.
Hz. Ibrahimi (a.s) ishte i gatshëm të sakrifikonte të birin e tij. Popuj të ndryshëm, duke përfshirë edhe popullin tonë, kanë luftuar dhe kanë sakrifikuar dëshmorë përmes luftërave për të arritur liritë e tyre. Ne sot, nuk po thirremi të sakrifikojmë vetët tona në luftë, por ftohemi të sakrifikojmë kohën dhe mundin në dobi tonën, familjes, dhe të shoqërisë ku jetojmë. Ftohemi të fitojmë kënaqësinë e Zotit përmes adhurimit ndaj Tij dhe ndihmesës së krijesave të Tij. E kjo nuk arrihet përmes jo-largpamësisë e paragjykimeve, ankesave dhe përtacisë dhe as përmes përçarjes dhe shthurjes.
Për besimtarin e vërtetë, jo vetëm që ka sakrifica, por dhe sprova të ndryshme në këtë botë dhe e vërteta qëndron se sa më shumë i devotshëm të jetë njeriu, aq më shumë sprova dhe sakrifica do të kalojë. Në Kur’anin famëlartë përmendet: “Ju patjetër do të sprovoheni si në pasurinë tuaj, si në vetën tuaj, madje do të dëgjoni ofendime të shumta prej atyre që u është libri para jush, e edhe prej idhujtarëve, po në qoftë se duroni dhe ruheni, ajo është gjëja më vendimtare.” Kurani (3:186).
Gjithashtu transmetohet nga Sead ibn Ebe Veḳas (Allahu qoftë i kënaqur me të): “Një herë i thashë të Dërguarit të Allahut (a.s), se kush janë njerëzit me sprova më të mëdha? Ai më tha: ‘Profetët, pastaj ata të cilët janë poshtë tyre në gradë.’ Kështu sprovohet njeriu, në sajë të besimit që ka. Nëse besimi i tij është i fortë shtohen dhe sprovat, por nëse besimi i tij është i dobët, atëherë sprovohet janë në sajë të besimit që ka, dhe sprovat vazhdojnë ta godasin robin, deri sa të arrijë njeriu të ecë nëpër tokë pa kurrfarë gjynahu!”
Si pikë e tretë qëndron nënshtrimi, që shfaqi Hz. Ismaili ndaj Allahut dhe ndaj prindit të tij gjatë sprovës me të cilën u sprovua.
Të dashur të rinj!
Ndërtoni një të ardhme duke iu nënshtruar Zotit dhe Pejgamberit të Tij. Jetoni në një kohë dhe vend plot sfida. Nëse sfida e gjeneratës para nesh ishte komunizmi, sfida jonë dhe e juaja është përçarja dhe prishja e ekuilibrave të moralit. Mos i jepni hapësirë njerëzve që mbjellin përçarje në emër të fesë, ose në emër të patriotizmit. As feja dhe as kombi nuk thërrasin për urrejtje e as përçarje.
Shpesh, në rreshtat e besimtarëve depërtojnë individë që, me dashje apo padashje, përmes pa-pjekurisë, fusin përçarje, duke i shtyrë njerëzit të mendojnë dhe të veprojnë vetëm sipas kuptimeve të tyre të Islamit dhe çdo kuptim ose praktikë tjetër e vlefshme, që shpesh herë trashëgohet nga të parët tanë, e që ka baza në fe, e konsiderojnë si shpikje dhe humbje. Këta janë ata njerëz që fusin përçarje duke përdorur Islamin!
Nga krahu tjetër, qëndrojnë disa ekstremistë “shqiptarë” (me emër vetëm), të cilët hiqen si patriotë, duke valëvitur flamurin dhe duke i kthyer me pavetëdije, simbolikat shqiptare në idhuj. Them shqiptarë me emër vetëm, se fatkeqësisht shkaktojnë përçarje dhe kanë urrejtje të thellë ndaj shqiptarëve myslimanë dhe sidomos ndaj praktikuesve të rregullt të fesë. I pengon mbulesa, ezani, xhamia, Kur’ani, Pejgamberi ynë, elementë dhe figura këto që janë të rrënjosura thellë në shpirtin e miliona shqiptarëve, e që janë të trashëguara përmes shekujve të tërë. Të jesh njeri siç duhet dhe shqiptar i vërtetë, obligohet jo vetëm respekti ndaj besimeve të popullit, por edhe të punosh në ngritjen e harmonisë midis komuniteteve të ndryshme fetare.
Më sipër, përmenda rreth përçarjes dhe ruajtjes nga dy grupacione, megjithëse jam i vetëdijshëm, se ka edhe disa grupe të tjera, por këtu kam dëshirë të përmendi dhe dy fjalë rreth prishjes së ekuilibrit të moralit në shoqëri. Ky fenomen fillon me papërgjegjësinë individuale, ku personi shkel bazat e moralit dhe të kulturës, duke menduar se shkelja e vlerave nga një person nuk bën efekt në shoqëri. Më pas, kjo shkelje, ngrihet deri në atë pikë ku miratohet me ligj dhe përfundon me shthurjen e shoqërisë. Prandaj, nëse dëshirojmë një shoqëri të bazuar në vlera të shëndosha, le të ruajmë ekuilibrin e moralit. Jo pa qëllim, i Dërguari i Allahut, Hz. Muhammedi (a.s.) thotë: “Me të vërtetë, më i dashur dhe më afër tek unë në Ditën e Gjykimit, do të jetë ai njeri, që përmbush moralet më të mira!” (Tirmidhiu)
Është koha të shikojmë të rinjtë tanë të guximshëm si Ismaili, të durueshëm si Ejubi, të ditur si Sulejmani, falës si Jusufi, të pastër si Isai dhe besimtarë të devotshëm si Muhammedi (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të gjithë ata). Nëse të rinjtë tanë pajisen me këto cilësi, atëherë dyert e djallit të mallkuar do mbesin të mbyllura për ta!
Pejgamberi ynë i dashur, Hz. Muhammedi (a.s), na tregon se një nga kategoritë e njerëzve Ditën e Gjykimit, që do mbulohet me hijen e Allahut, në atë ditë që nuk ka hije, përveç hijes së Tij, është ajo kategori e atyre te rinjve që janë rritur duke adhuruar Allahun (xh.sh). (Buhari dhe Muslim)
E lus të madhin Zot të na bashkojë zemrat tona në fenë e Tij, t’i ruajë vlerat e shëndosha të kombit tonë dhe të na i falë gabimet. Me të vërtetë, Ai është Falës dhe Mëshirues!
Shkodër, 16/6/2024