Myftinia Shkodër kryen me sukses therjen dhe shpërndarjen e kurbaneve 1445/2024
Me rastin e festës së Kurban Bajramit 2024 Myftinia Shkodër ka kryer me sukses therjen dhe shpërndarjen e kurbanëve, që janë edhe simbolika kryesore e kësaj feste të begatë dhe madhështore.
Në koordinim me shoqata dhe fondacione brenda dhe jashtë vendit, partnerë me të cilët Myftinia Shkodër ka një bashkëpunim të gjatë dhe të frytshëm, ka organizuar edhe këtë vit therjen dhe shpërndarjen e kurbaneve për njerëzit në nevojë, veçanërisht për skamnorët, jetimët, invalidët, etj, por jo vetëm.
Konkretisht janë shpërndarë rreth 100 kurbanë (desh dhe dele) të porositur nga besimtarë të ndryshëm nga Shkodra dhe Shqipëria, Amerika, Kanadaja, Italia, Gjermania, Zvicra, Austria, etj. Gjithashtu kanë dërguar kurbanet e tyre edhe Helping Hand USA (20 kurbanë), Qendra Shqiptare “Adem Jashari” në Bremen të Gjermanisë (10 kurbanë), Fondacionin “Mirësia”, qendra të ndryshme Shqiptare-Amerikane në ShBA, etj.
Karakteri humanitar i aktivitetit të shpërndarjes bashkëshoqëroi simbolikën e Kurban Bajramit dhe përçoi solidaritet e gëzim te shtresat e ndryshme sociale.
Pikërisht për këtë Myftinia Shkodër falënderon dhe shpreh mirënjohje për të gjithë pa përjashtim dhe veçanërisht shoqatat dhe fondacionet, që na besuan kryerjen e këtij riti dhe adhurimi fetar për vitin 1445/2024.
Allahut të Madhëruar i lutemi t’ua pranojë secilit kurbanin e tij dhe ta shpërblejë me të mira në dynja dhe në ahiret!