Nis faza e re e inspektimit të krejt vakëfeve të Shkodrës
Ditën e hënë, më 8 korrik 2024, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune me përgjegjësit e vakfit në Myftininë e Shkodrës; administratorin dhe dy menaxherët, me të cilët diskutoi për fazën e re të inspektimit të krejt vakëfeve të Shkodrës, për të korrigjuar gabimet e së shkuarës dhe për të nxjerrë në pah hapësirat për zhvillim, në kuadër të strategjisë së re 5 vjeçare të Myftinisë Shkodër.
Ditën e sotme, u inspektua pjesa e zaptuar e vakëfit në lagjen Dudas, prona e jonë në fushën e çinarit shekullor të Tabakut dhe një pjesë e vakëfit te teatri “Migjeni”.
Në kuadër të kësaj nisme të re, do të inspektohen dhe mbahen shënimet e duhura për të gjitha vakëfet, sikurse do të lobohet me institucionet e ndryshme dhe grupet e interesit për zhvillimin e mëtejshëm të vakëfeve, si dhe do të punohet për lirimin e pronave të zaptuara dhe rrethimin e disa pronave të tjera, që kanë nevojë për ndërhyrje.
Në këtë kontekst, do të punohet edhe për sistemin e ri të rrethimit të vakëfit të xhamisë së Fushë Çelës, duke hedhur poshtë çdo thirrje a aludim për heqjen e rrethimit të pronës së xhamisë.
Poashtu, në mbledhjen e radhës të Këshillit të Myftinisë Shkodër, do të paraqitet një raport i detajuar me krejt këto problematika, sikurse do të diskutohet për ecurinë e zhvillimit të vakëfit në Shkodër.