Një takim i përzemërt me ish- Kryetarin e Dijanetit të Turqisë
Mbrëmjen e së mërkurës, më 11 shtator 2024, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në tribunën e organizuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren, ku ligjërues nderi ishte prof. dr. Mehmet Gormez, ish- Kryetar i Dijanetit të Turqisë.
“Islami dhe gjeografia jonë shpirtërore”, ishte tema e ligjërimit të personalitetit të shquar islam të ardhur nga Ankaraja, ku nëpërmjet një analize të detajuar, prof. Gormez vuri në dukje domethënien e të jetuarit me dinjitetin e besimit dhe fesë, si dhe përkufizimin e termit gjeografi, nga kjo pikënisje.
Pas përfundimit të ligjëratës, që u ndoq me shumë vëmendje nga të pranishëm të shumtë të ardhur nga gjithandej, ishte koha e një bashkëbisedimi të ngushtë, në shoqërinë e mikpritjes së Kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, H. Valon Ibrahimi, mikut të dashur të Shkodrës e besimtarëve të saj, H. Lutfi Ballek dhe vëllezërve të mirë në Prizren.
Myftiu i Shkodrës zhvilloi një bashkëbisedim të vyer me të nderuarin prof. dr. Mehmet Gormez, të cilin e ftoi për vizitë në Shkodër, ku në vitin 2013 ishte mik i shtrenjtë, në vizitën e tij të paharruar e historike në Shkodër.