Tryezë pune: “Botimet islame në fokus”
Ditën e shtunë, më 28 shtator 2024, Myftinia Shkodër organizoi tryezën e punës me temë: “Botimet islame në fokus”, në të cilën merrnin pjesë imamë, studiues dhe teologë.
I pranishëm në këtë tryezë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari vuri theksin te rëndësia e madhe që kanë botimet për muslimanët përgjatë historisë.
Ai tha, se lidhjet e muslimanit me lapsin, me hokën e bojës, me letrën, me shkrimin janë të hershme dhe burojnë nga betimet e shenjta në Kur’anin Famëlartë. Ai tha, se nga kjo pikënisje është detyrë e gjithsecilit prej nesh, që të angazhohet maksimalisht për të shkruar dhe përhapur në mesin e njerëzve atë, që është më e dobishmja duke u mbështetur në fjalën e Allahut në Kur’anin Famëlartë, në traditën e Pejgamberit (a.s) dhe në mesazhet e urta islame.
Myftiu theksoi se prej dekadash, Myftinia Shkodër ka dhënë një kontribut të vyer për besimtarët, nëpërmjet botimeve të ndryshme me dobi për lexuesit. Është kënaqësi të shohësh se nga viti në vit, rritet cilësia e botimeve, përmbajtja e larmishme dhe mesazhet e urta që përhapen në mesin e besimtarëve.
Përtej kësaj, Myftiu tha, se është koha që të gjithë së bashku të punojmë për të rritur cilësinë e botimeve dhe për të përzgjedhur atë, që është më e mira për t’u përhapur në mesin e besimtarëve dhe njerëzve mbarë.
Imamët, studiuesit dhe teologët e pranishëm në këtë tryezë vunë theksin te domosdoshmëria e promovimit të urtësisë islame përtej hapësirave të xhamive dhe xhemateve, në mënyrë që rrezatimi i fjalës së bukur islame të mbërrijë te njerëzit në përgjithësi.
U diskutua poashtu për kontrollimin e hytbeve të xhumasë, në mënyrë që ato të jenë sa më praktike dhe pranë nevojave reale të besimtarëve, larg ligjërimeve teorike dhe atyre rutine, që nuk sjellin dobi për të pranishmit.
Në këtë takim u diskutua edhe për një sërë tematikash, që lidhen me shfrytëzimin e mundësisë së botimeve, e rrjeteve sociale, hapësirave digjitale dhe të gjitha rrugëve që shërbejnë për përcjelljen e Thirrjes Islame në rrobën e saj, larg devijimeve e interpretimeve të ngushta.
U ra dakord, që ky takim të pasohet me tryeza dhe këshillime të tjera në të ardhmen e afërt.