Myftiu i Shkodrës, ligjëratë me rininë e xhamisë Krye-Bushat
Mbrëmjen e së enjtes, më 19 dhjetor 2024, pas namazit të akshamit në xhaminë e Krye-Bushatit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shoqëruar edhe nga disa imamë, dha një ligjëratë për rininë dhe besimtarë të zonës së Bushatit, në Qendrën Kulturore Islame të kësaj xhamie.
Aktiviteti nisi me fjalën e rastit, mbajtur nga imami i nderuar, H. Ridvan Luzaku.
Më pas, Myftiu Sytari dha disa mesazhe dhe këshilla me vlerë për të pranishmit, kur ndër të tjera tha: “Dëshmoni se nuk ka Zot tjetër, pos Allahut dhe jetoni si muslimanë, me këdo e kudo! Merrni dhe jepni selam me krejt krijesat e Zotit Një dhe mos u tundoni nga asnjë shfaqje mosbesimi e idhujtarie përreth jush! La ilahe il-lall-llah! Kjo është ajka e krejt të mirave dhe thelbi i dijes dhe zhvillimit! E mira dhe e keqja janë nga Zoti. Nuk e dimë urtësinë e sprovave, me të cilat prekëm gjatë jetës sonë, por e dimë mirë se durimi në sprovë ka shpërblim të pallogaritur! Përhapeni të mirën me të gjithë, muslimanë e jo, sepse marrëdhënia është me Zotin e njerëzve, jo me njerëzit!”
Aktivitetin e përshëndeti edhe z. Zyhdi Mustafa, Kryetar i Këshillit të xhamisë Krye-Bushat, i cili shprehu gëzimin dhe mirënjohjen për këtë mbrëmje fetare dhe uroi që në të ardhmen aktiviteti i Q.K.Islame në Krye-Bushat, të ketë rritje dhe gjallëri.
Këtu, keni mundësinë të dëgjoni ligjëratën, që Imam Muhamed B. Sytari, mbajti të enjten, më 19 dhjetor 2024, në Qendrën Kulturore Islame në Krye-Bushat, Shkodër.