Ligjëratë me vlerë: “Shërimi sipas Kur’anit dhe Traditës Profetike”

Ligjëratë me vlerë “Shërimi sipas Kur’anit dhe Traditës Profetike”

Ligjëratë me vlerë: “Shërimi sipas Kur’anit dhe Traditës Profetike”

Ditën e enjte, më 26 dhjetor 2024, pas namazit të akshamit, në prani të shumë besimtarëve, Myftinia Shkodër organizoi aktivitetin me temë: “Shërimi sipas Kur’anit dhe Traditës Profetike”, në xhaminë e Parrucës, me të ftuar special, Shejkh Halid El-Hibshi nga Arabia Saudite.

Fillimisht përshëndeti teologu Lavdrim Hamja, i cili i uroi mirëseardhjen Shejkhut të nderuar dhe e falënderoi për prezencën e tij, duke i përcjell gjithashtu edhe përshëndetjet e Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili për arsye udhëtimi nuk ishte i pranishëm në këtë mbrëmje fetare.

Pastaj e mori fjalën, Shejkh Halid El-Hibshi, i cili foli për ndikimin dhe vlerën e madhe që ka shërimi përmes ajeteve kur’anore dhe haditheve të Pejgamberit (a.s). Ai solli shumë shembuj praktik nga eksperienca e tij shumëvjeçare në fushën e rukjes, shërimit fetar.

Halid El-Hibshi, një ekspert i njohur në këtë fushë, foli për metoda tradicionale dhe moderne të shërimit që bazohen në Kur’an dhe hadithet e Profetit Muhammed (a.s). Ai trajtoi tema të ndryshme, duke përfshirë leximin e sureve dhe ajeteve të veçanta për shërim, përdorimin e bimëve medicinale dhe rëndësinë e lutjeve të transmetuara nga Pejgamberi (a.s), me bindje dhe besimin se asgjë nuk mund të ndodhë pa lejen e Allahut të Madhëruar.

Ky aktivitet ishte pjesë e në serie të ligjëratave edukative, që Shejkhu i nderuar po mban në vendin tonë dhe që synojnë të ndriçojnë besimtarët mbi rëndësinë e shërimit shpirtëror dhe fizik sipas udhëzimeve islame.

Pas namazit të jacisë, Shejkh Halid El-Hibshi lexoi edhe një rukje të shkurtër gjithëpërfshirëse për besimtarët e pranishëm, të cilët e mirëpritën me shumë dëshirë.

Të pranishmit patën mundësinë të bëjnë pyetje dhe të ndajnë përvojat e tyre personale rreth kësaj teme. Aktiviteti përfundoi me një dua të veçantë, që Shejkh Halid El-Hibshi bëri për të pranishmit.

Më herët, Shejkh Halid El-Hibshi bëri një vizitë në Myftini, ku u prit nga teologu Lavdrim Hamja dhe imami i xhamisë së Parrucës, H. Naim Drijaj.