Myftiu i Shkodrës viziton Rektorin e Universitetit të Shkodrës
Paraditën e ditës së hënë, më 13 janar 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari zhvilloi një vizitë zyrtare në Universitetin e Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”, ku u prit nga Rektori, Prof. Dr. Tonin Gjuraj.
Myftiu pasi ka uruar Rektorin Gjuraj për detyrën e tij, diskutoi për mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucionit fetar dhe atij akademik.
Ky takim synon të forcojë lidhjet ndërmjet dy institucioneve dhe të hapë rrugë për projekte dhe aktivitete të përbashkëta shkencore në fusha me interes të ndërsjellë.
Rektori Gjuraj vlerësoi rolin e Myftinisë Shkodër në promovimin e vlerave shpirtërore, humanizmit dhe të ruajtjes e kultivimit të mëtejshëm të harmonisë sociale e ndërfetare në Shkodër dhe më tej. Ai theksoi gjithashtu kontributin e shquar të personaliteteve nga komuniteti mysliman në fusha të ndryshme, si arsimi, arti, kultura dhe shkenca.
Me këtë rast, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari i dhuroi Universitetit enciklopedinë me libra: “Islami nëpërmjet Haditheve” si dhe botimin gazetës “Udha Islame”, viti 2024, organ mediatik i Myftinisë Shkodër.