Zhvillohet mbledhja e raportit të përgjithshëm për aktivitetin e vitit 2024
Paraditen e së mërkurës, më 15 janar 2025, në ambientet e Myftinisë Shkodër, Myftiu Imam Muhamed B. Sytari zhvilloi një takim të paralajmëruar pune me pjesëtarët e stafit, ku në rend të ditës ishte analiza e plotë e aktivitetit të Myftinisë Shkodër me krejt sektorët e saj për vitin 2024.
Në krye të herës, Myftiu lajmëroi se viti 2025 është vit jubilar për Myftininë e Shkodrës, pasi më 16 nëntor të këtij viti shënohet edhe 35 vjetori i rihapjes së xhamisë së Plumbit, që shënoi edhe rënien e diktaturës komuniste dhe lirinë e besimit, por jo vetëm, në vendin tonë.
Myftiu theksoi se në logon e këtij viti jubilar është shënuar: 35 vjet – “Rimëkëmbje në hartën e tabanit!”, duke vënë theksin te domosdoshmëria dhe angazhimi maksimal që duhet të tregojnë drejtuesit e sektorëve, imamët dhe të gjithë punonjësit e Myftinisë Shkodër për të dëshmuar një vit plot angazhime në drejtim të ruajtjes dhe forcimit të tabanit dhe vlerave shekullore islame të ruajtura dhe të trashëguara në qytetin e Shkodrës, por jo vetëm.
Më pas Myftiu i dha fjalën përgjegjësve të sektorëve të ndryshëm, me ç’rast dëgjoi nga gjithsecili prej tyre raportin vjetor me arritjet, por edhe me mosrealizimet e këtij viti.
Aktivitete të larmishme, shumësia e takimeve, ligjëratave, këshillave fetare, pritja e vizitorëve të ndryshëm elitar nga mbarë bota islame, vizitat në institucionet e ndryshme të vendit, takimet ndërfetare, kurset e fëmijëve, aktivitetet e larmishme për fëmijët e kurseve fetare, takimet periodike me imamët, inspektimi i vakëfeve, ndërtimi i xhamive dhe restaurimi i tyre, përkujdesja për ambientet e qendrave kulturore, emisionet televizive dhe ato radiofonike, botimet e librave të rinj, dalja sistematike e gazetës “Udha Islame”, trajnimi i haxhilerëve, organizimi i përcjelljes dhe pritjes së tyre, por jo vetëm, ishin pjesë e raportit të përgjithshëm për vitin 2024 të aktivitetit të Myftinisë Shkodër.
Gjatë raportimit të secilit prej drejtuesve të sektorëve përkatës iu dha mundësia edhe të pranishmëve, që të bënin ndërhyrjet e tyre, pyetje, përgjigje dhe sqarime për çdo detaj prej këtij raporti.
Në fund të këtij takimi pune, Myftiu falënderoi të gjithë për angazhimin dhe dha sugjerimet dhe këshillat e tij për detaje të caktuara të raportit të vitit 2024 dhe porositë e tij për periudhën deri në fund të vitit 2025, që pritet të jetë një vit i mbushur me aktivitete dhe zhvillime të reja pozitive për Myftininë e Shkodrës dhe besimtarët e saj.