Prita sot, në një takim lamtumire, Arqipeshkvin Shkodër-Pult, mons. Angelo Massafra
Me zotninë e tij njihemi prej dekadash, aq sa, kur e kthej kokën pas, duket se nuk e kap dot fillin e takimit tonë të parë. Ndërkohë, nga asokohe e deri më sot, kanë kaluar dekada e vite, në krahët e të cilëve, ne kemi mbajtur qëndrime të shumta, herë të afërta e herë të largëta, por asnjëherë larg boshtit të asaj që të dy ne përfaqësojmë, bashkarisht e të ndarë!
Në këto vite të gjata të njohjes, në tryezat e takimeve dhe bashkëpunimeve tona, nuk ishim vetëm, teksa dora-dorës me hoxhallarë e priftërinj të nderuar, përhapëm dritë e mesazhe të ekuilibruara, në shërbim të komunitetit, qytetit e asaj që trashëgojmë ndër shekuj!
Do të dëshiroja, që agjenda e takimeve dhe bashkëpunimeve të ishte më e ngjeshur, më e ngarkuar me atë që NE mund e duhet të japim në vazhdimësi, por që nganjëherë, mbetet e heshtur përballë përzgjedhjeve dhe qëndrimeve që po NE vendosim t’i japim pozicion në listën e përparësive.
Tashmë, mons. Massafra do të largohet nga Shkodra e, misioni ynë vazhdon në ruajtjen e bashkëjetesës, në forcimin e harmonisë, në kultivimin e asaj që ia kemi për borxh besimit, fesë, atdheut, kombit tonë dhe kujtdo, që sikurse NE, e ka vullnetin e dëshirën që të mos ngelet peng i cytjeve të shejtanit e i provincializmit të ngurtë e fanatik, verbërisht fanatik!
I urova mons. Massafrës çdo të mirë, shëndet e jetë të gjatë, plot vepra të mira, për të cilat Zoti është razi, sikurse e falënderova për atë që bashkarisht, ditëm ta përcjellim bukur, me lutjen që Zoti të na falë për ç’ka mund ta kishim bërë edhe më mirë në këtë rrugëtim të gjatë, të veshur me petkun e të natyrshmes e njerëzores, që përtej çdo dëshire prej dëshirave tona, ngelet e mangët!
Ishte një ndeje, që mblodhi në minutat e saj, krejt vitet e bashkëpunimit, dëshirat e vullnetet e mira, që u shkrinë në një dhuratë simbolike, që ia dhurova me shumë dashamirësi arqipeshkvit Massafra, në një foto që na lidh të gjithëve dorë për dore, në një Shtëpi prej shtëpive të Zotit!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër