Myftiu Sytari: “Ruajeni hakun e komshiut, dëshmojeni dritën e Islamit!”

Myftiu Sytari “Ruajeni hakun e komshiut, dëshmojeni dritën e Islamit!”

Myftiu Sytari: “Ruajeni hakun e komshiut, dëshmojeni dritën e Islamit!”

Në kuadër të ciklit të ligjëratave: “Tre muajt e mirë dhe thirrja e besimit!”, që Myftiu i Shkodrës po zhvillon në atmosferën e Tre Muajve të Mirë, ditën e enjte, më 30 janar 2025, pas namazit të akshamit në xhaminë e fshatit Mjedë u zhvillua ligjërata e radhës.

Pas faljes së namazit të akshamit, që u drejtua nga H. Lavdrim Hamja, imam i xhamisë së “Dy Vajzave”, fjalën e rastit e mbajti imami i xhamisë së fshatit Mjedë, H. Asllan Babaj, i cili pasi uroi mirëseardhjen e Myftiut shprehu kënaqësinë e tij dhe të xhematit për përfshirjen e xhamisë së Mjedës në këtë projekt të dobishëm për mbarë komunitetin.

Në ligjëratën e mbajtur në këtë mbrëmje të begatë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari u ndal te rëndësia që ka respektimi i hakut të komshiut në jetën tonë të përditshme, si dhe ruajtja e tabanit të baballarëve të shkuar.

Myftiu theksoi se ajetet e shumta kur’anore dhe hadithet e të Dërguarit të Allahut (a.s) janë argumenti më i madh që vërteton madhështinë e Islamit në raportet e njeriut me komshinjtë e tij.

Myftiu vuri theksin edhe tek ajo që e quajti agjenda e tjetërsimit të tabanit, që është prishja e shtëpive të vjetra dhe e trashëgimisë islame në qytetin e Shkodrës dhe zëvendësimi i tyre me banesa dhe pallate të reja. Ai theksoi se devijimi nga tabani i të parëve, ku dikur njerëzit shkonin dhe vinin te njëri-tjetri, ku shtëpitë ishin më të përshtatshme për të pritur dhe për t’i shkuar dikujt, është në të vërtetë përpjekje për të rrëshqitur drejt shoqërive të ngushta, të mbyllura, egoiste, pa besim, pa shpirt dhe pa ndjenjën e të jetuarit në komunitet.

Ai tha se në Islam haku i komshiut është i shenjtë dhe i ruajtur, ku nëpërmjet haditheve të ndryshme hodhi dritë mbi nxitjen që i bën i Dërguari i Allahut (a.s) besimtarëve për të dashur për komshiun dhe për tjetrin atë që duan për veten tonë, si dhe nxitjen që bëhet për ta ruajtur komshiun nga e keqja e mundshme që mund t’i vijë nga gjithsecili prej nesh.

Ligjërata e Myftiut mblodhi të rinj e të reja, si dhe besimtarë të shumtë që prezantuan në xhaminë e Mjedës në këtë mbrëmje të begatë.

Ligjëratën e plotë mund ta ndiqni në linkun bashkangjitur: