![Myftiu i Shkodrës priti në një takim kortezie Kryeministrin e Shqipërisë, Sh.T.Z. Edi Rama (1)](https://myftinia-shkoder.org/wp-content/uploads/2025/02/Myftiu-i-Shkodres-priti-ne-nje-takim-kortezie-Kryeministrin-e-Shqiperise-Sh.T.Z.-Edi-Rama-1-678x381.jpg)
Myftiu i Shkodrës priti në një takim kortezie Kryeministrin e Shqipërisë, Sh.T.Z. Edi Rama
Ditën e hënë, më 10 shkurt 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari priti në një takim kortezie Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z Edi Rama.
Gjatë takimit, Myftiu e informoi Kryeministrin Rama mbi historikun e Myftinisë së Shkodrës dhe faktin që viti 2025 është edhe 35 vjetori i rihapjes së xhamisë së Plumbit.
Poashtu e falënderoi Kryeministrin Rama për angazhimin e tij të madh në drejtim të rikonstruksionit dhe meremetimit të plotë të xhamisë së Plumbit, e cila pritet të inaugurohet këtë vit jubilar.
Nga ana tjetër, Kryeministri Rama shprehu kënaqësinë e tij për këtë vizitë në Shkodër, sidomos në një ditë si kjo, kur në Bashkinë e Shkodrës u bë prezantimi i dy projekt ideve të reja për zhvillimin e qendrës së qytetit të Shkodrës, e në veçanti vakëfit te xhamia “Ebu Bekër”.
Myftiu dhe Kryeministri ishin të një mendimi se ky projekt-ide ka vend për ndërhyrje dhe për mendime që e përmirësojnë edhe më tepër zhvillimin e atij vakëfi në interes të Myftinisë Shkodër dhe trashëgimisë islame të qytetit të Shkodrës.
Biseda vijoi me disa çështje me interes të përbashkët, ku Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari falënderoi Kryeministrin e Shqipërisë, Z. Edi Rama për gatishmërinë për realizimin e disa prej kërkesave të kahershme të Myftinisë Shkodër në raport me vakëfet e saj, por jo vetëm.
Gjatë kësaj vizite Kryeministri Rama shoqërohej nga Kryetari i Bashkisë Shkodër, Z. Benet Beci dhe Drejtori i Fondit Shqiptar për Zhvillim, Z. Dritan Agolli.