![Xhamia e Trushit bëhet gati për të pritur Muajin Ramazan](https://myftinia-shkoder.org/wp-content/uploads/2025/02/Xhamia-e-Trushit-behet-gati-per-te-pritur-Muajin-Ramazan-11-678x381.jpg)
Xhamia e Trushit bëhet gati për të pritur Muajin Ramazan
Në këto ditë të begata të Muajit Shaban, ku besimtarët përgatiten për të hyrë në atmosferën shpirtërore të Muajit Ramazan, në të gjitha xhamitë e botës islame nisin përgatitjet për pritjen e Mikut të Madh!
Edhe në vendin tonë, nëpërmjet aktiviteteve, fushatave bamirëse dhe kontributeve të shumta të besimtarëve, xhami të ndryshme meremetohen, lyhen e zbukurohen, ndërrojnë tapetat e bëhen gati në çdo aspekt, që Muaji Ramazan të na gjejë ndryshe!
Edhe në xhaminë e fshatit Trush, besimtarët e të cilit, japin vazhdimisht për mirëmbajtjen e xhamisë, kjo frymë ka ardhur me begati e plot mirësi.
Nën drejtimin e imamit, H. Jetmir Braqi, këto ditë po bëhen punime për meremetimin, lyerjen, pastrimin e përgjithshëm dhe përgatitjet e duhura në prag të Natës së Gjysmës së Shabanit dhe mbërritjes së shumëpritur të Muajit Ramazan.
Myftinia Shkodër, shpreh falënderimet dhe përkrahjen e saj për këto nisma dhe ndërmarrje me dobi për komunitetin dhe shembullin e mirë që ato përcjellin për këdo.