
Në xhaminë e Shkjezës përkujtohet Nata e Gjysmës së Shabanit!
Në vijim të ciklit të ligjëratave me temë: “Tre Muajt e Mirë dhe thirrja e besimit”, mbrëmjen e së enjtes, më 13 shkurt 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mbajti ligjëratën e radhës në xhaminë e fshatit Shkjezë.
Në këtë mbrëmje, që përkon edhe me Natën e Gjysmës së Shabanit, Myftiu i Shkodrës uroi besimtarët e pranishëm dhe theksoi se kjo është Nata e faljes së madhe, pasi në hadithe të ndryshme transmetohet se Resulullahu (a.s) ka thënë: “Allahu i Madhëruar vështron robërit e Tij në Natën e Gjysmës së Shabanit dhe i fal të gjithë, përveç dy llojeve: atë që i bën shirk dhe ata që janë grindje!”
Nga këtu, Myftiu këshilloi besimtarët që këtë Natë ta kalojnë në adhurime e lutje, të falin e të pajtohen, t’ia bëjnë hallall njëri-tjetrit e të rinisin një faqe të re në marrëdhënien e tyre me Allahun e Madhëruar dhe me njëri-tjetrin.
Ai tha se gjëja më e mirë në këtë atmosferë të begatë, është të menduarit mirë për tjetrin, të dëshiruarit mirë për të tjerët dhe distancimi nga urrejtja, përçarja, zilia e paragjykimi.
Në fund të ligjëratës së tij, Myftiu bëri edhe një lutje me besimtarët e pranishëm dhe uroi që kjo Natë të kalohet me adhurime e lutje vullnetare deri në prag të sabahut.
Myftiu falënderoi kontributet e imamit të kësaj xhamie, H. Dritan Cukali dhe shprehu mirënjohjen e tij për këtë mexhlis të begatë.