Nis lyerja e kangjellave të xhamisë së Fushë Çelës

Nis lyerja e kangjellave të xhamisë së Fushë Çelës

Nis lyerja e kangjellave të xhamisë së Fushë Çelës

Nga minberi i xhamisë së Fushë Çelës, “Ebu Bekër”, Myftu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari lajmëroi besimtarët se në fundjavë do të nisë puna për lyerjen e kangjellave të xhamisë.

Pikërisht sot, ditën e diel, më 16 shkurt 2025, në kuadër të përgatitjeve për muajin e begatë të Ramazanit, Myftinia Shkodër, filloi punën për lyerjen dhe pastrimin e kangjellave të xhamisë “Ebu Bekër”, me ç’rast Myftiu i Shkodrës dha edhe një mesazh për mediat e pranishme, ku vuri theksin tek simbolika e bardhësisë që ka muaji i madhërueshëm i Ramazanit dhe rëndësia që ka përcjellja e mesazheve të parapërgatitjes për muajin e Ramazanit që njerëzit të angazhohen me pastrimin e shtëpive, pastrimin e oborreve, ndriçimin e tyre dhe ndriçimin e shtëpive, si një traditë shekullore islame, në pritje të këtij miku të madh që vjen për mbarë njerëzimin.

Këto ndërhyrje synojnë përmirësimin dhe mirëmbajtjen e xhamive dhe sinjalizimin e ardhjes së Muajit të bekimeve!

Myftiu i Shkodrës i dha përgjigje edhe pyetjes së një gazetari lidhur me projektin e zhvillimit të vakëfit pranë Xhamisë së Madhe, një ide e prezantuar para pak ditëve nga Kryeministri i Shqipërisë dhe Bashkia e Shkodrës, të cilët i falënderoi për vullnetin dhe qëllimin e mirë në interes të përfshirjes së vakëfit në listën e hapësirave për zhvillim.

Myftiu theksoi se ajo që është prezantuar është thjeshtë një projekt-ide e pa pleqnuar me detaje me Myftininë Shkodër, që është pronare legjitime dhe pa u përputhur me filozofinë e arkitekturës islame dhe frymën e trashëgimisë osmane e islame të Shkodrës, asnjë projekt-ide nuk mund të marrë miratimin e Myftinisë Shkodër.