
Mbyllet cikli i ligjëratave: Tre muajt e mirë dhe thirrja e besimit!
Ditën e enjte, më 27 shkurt 2025, në xhaminë e fshatit Mëlgushë u mbajt ligjërata e radhës e ciklit: Tre muajt e mirë dhe thirrja e besimit!
Pas namazit të akshamit të drejtuar nga imami i xhamisë, H. Elsamet Muhja, ligjëratën e rastin e mbajti Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili shprehu kënaqësinë e tij për realizimin e këtij projekti të dobishëm, të shpërndarë në shtatë javë në xhami të ndryshme të qytetit të Shkodrës, ku vlerësoi mbi të gjitha mikpritjen e besimtarëve në të gjitha xhamitë, kënaqësinë e takimit me ta, ndarjen e mendimeve, urimeve dhe lutjeve me besimtarë e shumtë në cepat e ndryshëm të xhamive të Shkodrës.
Në këtë mbrëmje të begatë, të cilën Myftiu e çmoi si “Mbrëmja përmbyllëse e një cikli të begatë në prag të natës së parë të teravisë të Ramazanit të sivjetshëm”. Ai iu drejtua të pranishmëve me disa këshilla rreth përsosjes së besimtarit në muajin e Madhërueshëm të Ramazanit në Kur’anin Famëlartë.
Myftiu theksoi se, interesimi që duhet të ketë muslimani për Kur’anin duhet të qëndrojë mbi çdo interesim që ai i jep çdo gjëje tjetër në jetën e tij të përditshme. Myftiu theksoi se, Kur’ani Famëlartë është udhëzimi hyjnor, që i tregon njeriut rrugën dhe mënyrën e të jetuarit me dinjitet e krenari, duke evituar ndalesat dhe çdo gjë të dëmshme në jetën e tij.
Ajetet kur’anore, ku Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin Famëlartë: “Atyre të cilëve ua kemi dhënë librin, e lexojnë ashtu siç e meriton në të vërtetë të lexohet!”, ku theksoi se të lexuarit e vërtetë të Kur’anit Famëlartë, është jo thjesht interesimi për nxjerrjen e saktë të texhividit, por praktimi me texhvid i Kur’anin Famëlartë në jetën e përditshme.
Myftiu solli në vëmendjen e besimtarëve edhe shprehjen e njohur të Hz. Enes ibn Malik, i cili thotë: “Ka prej atyre, që e lexojnë Kur’anin dhe Kur’ani i mallkon ata!”, dhe këtu solli shembuj të ndryshëm nga jeta e përditshme duke nxitur besimtarët drejt përsosjen së marrëdhënieve me Kur’anin Famëlartë.
Ligjëratën e plotë mund ta ndiqnin në linkun e mëposhtëm.
Myftinia Shkodër falënderon të gjithë besimtarët dhe imamët, që iu përgjigjën këtij projekti duke gjallëruar xhamitë tona në këtë periudhë të begatë në prag të muajit të Madhërueshëm të Ramazanit dhe lutet me zemër, që të kemi një muaj të Ramazanit të mbushur plot mirësi dhe besim.