Myftiu i Shkodrës mban hytben e fundit të Ramazanit 1446/2025

Myftiu i Shkodrës mban hytben e fundit të Ramazanit 1446/2025

Nga hytbeja e xhumasë në xhaminë e Parrucës, më 28 mars 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, iu drejtua besimtarëve të pranishëm duke folur për mirësitë dhe begatitë e muajit të Ramazanit, me shprehjen se: “Shkon një muaj!”

Myftiu vuri theksin te qëllimi i agjërimit të muajit të Ramazanit, të cilin Allahu i Madhëruar e obligoi në “ditë të numëruara!”. Megjithëse Allahu i ka justifikuar ata, të cilët janë të sëmurë dhe nuk mund ta agjërojnë, por ndërkohë thotë për pjesën tjetër: “Nëse agjëroni është më e mirë për ju!”

Ai, gjithashtu tërhoqi vëmendjen, që në asnjë mënyrë, besimtari nuk duhet ta braktisë atë, që ka arritur gjatë Ramazanit, prej adhurimeve, veprave të mira, bamirësisë, etj, por të vazhdojë dhe të ecë në gjurmën e tyre, sepse braktisja e tyre është një zullumi madh në hak të Ramazanit dhe në hak të gjithë adhurimeve të tjera.

Ai tha, se: Nëse ti e di, se i ke ditët e numëruara në këtë jetë, si do të silleshe dhe si do të veproje? Do të veprosh me shpirtin e kësaj pjese të bekuar të ajetit: “Nëse agjëroni është më e mirë për ju!”, pra të qëndroni në besën e agjërimit dhe të qëndroni me besën e Allahut të Madhëruar, është më e mirë për ju! Sepse thotë, në hadithin që na e mëson Pejgamberi (a.s): “Agjërimi është i Imi dhe unë e shpërblej atë!”

Gjatë hytbes së tij, Myftiu gjithashtu theksoi duke thënë, se: “Na u vërtetua nëpërmjet këtij muajit të Madhërishëm të Ramazanit se, në Islam, krejt problemet e njeriut, thuaj të njerëzimit, mund të zgjidhen në një muaj të vetëm. Na u vërtetua botërisht, dhe këtë e gjë e pamë edhe nëpërmjet mjeteve të informacionit, se njerëzit anembanë botës u paqtuan në këtë Ramazan, njerëzit u solidarizuan me njëri-tjetrin në këtë Ramazan, njerëzit lanë pas krahëve mëritë dhe urrejtjen në këtë Ramazan, njerëzit për hatër të këtij muajit të Ramazanit hapën zemrat e tyre për njëri -tjetrin, duke praktikuar të mirën, duke përhapur të mirën, duke u distancuar nga e keqja dhe gjërat e tjera të ndaluara.

Pejgamberi (a.s) na dëshmoi, se sistemi i korrupsionit, i hiles, i mashtrimit, i pabesisë, nuk ka të bëjë me agjëruesin dhe me vlerat, normat dhe standardet islame.

Mësuam gjatë muajit të Ramazanit për ta dëbuar të keqen nga mesi jonë, për të mos e pranuar të keqen në mesin tonë. Mësuam nëpërmjet kësaj shkolle një-mujore vetëpërmbajtjen në jetën e përditshëm, duke thënë: “Unë jam agjërueshëm, unë jam agjërueshëm!”

Ky muaj na nxiti drejt solidarizimit me njëri-tjetrin, e shumëfishoi vlerën e sadakasë në këtë muaj të Madhërishëm të Ramazanit, sa që i shikoje njerëzit duke vrapuar dhe duke bërë gara, se kush të ndihmojë, të japë dhe të bëjë më mirë për nevojën e tjetrit… qindra e qindra familje në nevojë janë ndihmuar gjatë këtij muajit të Madhërueshëm të Ramazanit.”

Myftiu theksoi duke thënë se, ne kemi sistemin e vlerave që mbizotëron mbi çdo sistem tjetër në botë, sepse ka burimin hyjnor. Të kapemi pas Kur’anit tonë dhe të rrimë krenarë me Kur’anin dhe të mos devijojmë prej këtij Kur’ani, që është libri, i cili ka zbritur në këtë muaj të Madhërishëm të Ramazanit.

Myftiu Sytari u ndal edhe te çështja e Gazës, ku theksoi se Gaza është kryefjala e këtij Ramazani dhe kryefjala e gjithë botës prej dekadash, e në veçanti në këtë vit të fundit e kusur, që bashkërisht dëshmojmë një ndër llahtaritë dhe krimet barbare më të frikshme të historisë së njerëzimit.

Në fund, Myftiu u lut, që Allahu i Madhëruar ta begatojë Shkodrën dhe ta ruajë atë nga çdo ligësi, nga çdo përpjekje për ta ç’bërë Shkodrën, nga çdo përpjekjen për ta zhveshë Shkodrën nga shpirti i traditës, dhe nga shpirti shekullor i besimit, harmonisë, dashamirësisë, vëllazërisë, që qytetarët e këtij vendi kanë me njëri-tjetrin.

Për ta ndjekur të plotë hytben kliko në këtë link