
Sofra e iftarit të vëllazërisë mbyllet me nxënësit e mejtepit të xhamisë Kullaj
Ditën e xhuma, më 28 mars 2025, në ditën e 28-të muajit të begatë të Ramazanit, sektori i arsimit, pranë Myftinisë Shkodër, organizoi veprimtarinë e iftarit të fundit, më nxënësit e mejtepit/kurseve fetare të xhamisë Kullaj, Njësia Administrative Postribë.
Në këtë iftar, përveç pjesëmarrjes së 40 nxënësve të mejtepit të moshave të ndryshme, imamit dhe mësuesit H. Ardin Selhani, mori pjesë edhe drejtuesi i arsimit, pranë Myftinisë Shkodër, teologu Arben Halluni, i cili përpara çeljes së iftarit, dha disa këshilla të dobishme edukative dhe besimore për të pranishmit.
Duke i uruar nxënësve për një agjërim të lehtë dhe një Ramazan të pranuar, teologu Halluni shprehu urimet e tij të përzemërta për këtë muaj të shenjtë të mëshirës dhe devotshmërisë.
Me rastin e përfundimit të agjërimit, ai i përgëzoi të gjithë nxënësit për sakrificën dhe përkushtimin e tyre gjatë Ramazanit, duke i përhajruar për festën e madhe të mbarë myslimanëve të globit, Fitër Bajramin. Ai uroi që kjo festë e bekuar të sjellë paqe, harmoni dhe begati në familjet e tyre.
Në fund të iftarit, u bë dua-lutja e sofrës si dhe më pas të gjithë të pranishmit falën bashkërisht namazin e akshamit.
Programi i sofrës së iftareve të vëllazërisë me mejtepet dhe qendrat islame është zhvilluar gjatë këtij muaji në Shirq-Mushan, Krye-Bushat, Barbullush, Oblikë, Mes-Myselim, Kullaj, etj.