Paraditën e së shtunës, më 7 janar 2017, Këshilli i Myftinisë Shkodër, nën drejtimin e Myftiut, Imam Muhamed B. Sytari, diskutoi mbi programin e ngjeshur të aktiviteteve thirrëse, sidomos në prag të përkujtimit të 10 vjetorit të inaugurimit të xhamisë së Parrucës.
U prezantuan 10 pikat kryesore të aktiviteteve bazë, që do të zhvillohen gjatë kësaj periudhe tremujore, sikurse u dhanë mendime të dobishme për shtimin e mëtejshëm të aktivitetit fetar e social në këtë kontekst.
Këshilli diskutoi me shqetësim edhe çështjen e Xhamisë së Sulltan Mehmet Fatihut në kalanë e Shkodrës dhe tejkalimin e limiteve të bashkëpunimit të sinqertë dhe brenda kufijve të respektit reciprok nga kisha katolike e Shkodrës, që para pak ditësh organizoi një meshë në ambientet e rrënojës së Xhamisë, përtej shqetësimit të ngritur nga Myftinia Shkodër dhe kërkesave të ndryshme për ruajtjen e kornizës së harmonisë ndërfetare në Shkodër, vitin që kaloi në këtë drejtim. Këshilli ra dakort që të dërgohet një notë proteste dhe një mosdakortësi për këtë veprim të përsëritur provokativ, secilës prej institucioneve të përfshira në këtë organizim; kishës katolike dhe ministrisë së kulturës.
Njëkohësisht, Këshilli i Myftinisë Shkodër mori vendim për mospjesëmarrjen në aktivitetet ndërfetare në raport me kishën katolike Shkodër, derisa çështja e respektimit të Xhamisë së kalasë të marrë drejtimin e duhur. Për këtë, do të lajmërohet edhe Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, të gjithë imamët dhe këshillat përkatëse të xhamive të Zonës Shkodër.
Këshilli i Myftinisë Shkodër diskutoi edhe rreth Konferencës së 6-të të përvitshme të imamëve, teologëve dhe thirrësve islamë të Shkodrës, si dhe për disa çështje të brendshme organizative.