Imami i Zyrihut mbajti hytben e xhumasë në xhaminë e Parrucës

Imami i Zyrihut mbajti hytben e xhumasë në xhaminë e Parrucës

Imami i Zyrihut mbajti hytben e xhumasë në xhaminë e Parrucës

E xhumaja e 25 prillit 2025 ishte e veçantë për besimtarët e frekuentues të xhamisë së Parrucës. Ligjërues i kësaj xhumaje ishte imami i nderuar i xhamisë së Zyrihut, H. Nebi ef. Rexhepi.

Pas dersit të mbajtur nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, hytbeja e xhumasë e mbajti miku i nderuar nga Zyrihu i Zvicrës.

Në mesazhin kryesor të kësaj xhumaje, hoxha i nderuar u ndal tek rëndësia e ruajtjes së amanetit dhe distancimit nga tradhtia, duke vënë në qendër të vëmendjes ajetet kur’anore që i bëjnë thirrje besimtarëve për të mos tradhtuar Allahun, të Dërguarin e Tij dhe krejt amanetet.

Ndër të tjera theksoi, se në fenë islame muslimanët janë të ftuar që të ruajnë amanetet e Zotit dhe të Dërguarit të Tij, duke u përpjekur në këtë mënyrë për të dëshmuar vlerat madhështore të fesë së tyre me të gjithë njerëzit pa përjashtim.

Në këtë kontekst, ai solli në qendër të vëmendjes shembullin e përhapjes së fesë islame në Azinë e largët, ku sipas dëshmive dhe argumenteve të shumta historike është vërtetuar, se Islami në Indonezi dhe vendet përreth ka mbërritur nëpërmjet tregtarëve muslimanë, të cilët ishin të disiplinuar me rregullat e Islamit duke u bërë në këtë mënyrë modeli më i mirë për të gjithë atë zonë, që e pranoi fenë islame në mënyrë masive.

Hoxha i nderuar, Nebi ef. Rexhepi falënderoi në krye të herës ftesën e Myftiut të Shkodrës për të mbajtur ligjëratën e kësaj dite në xhaminë e Parrucës, sikurse theksoi se që në vitin 1980, kur kishte kryer edhe hifzin e Kur’anit, hoxha i tij i nderuar i kishte përmendur përherë dhe me shumë afeksion respektin dhe dashurinë për qytetin e Shkodrës, si qytet i dijes dhe i dijetarëve.

Më herët, H. Nebi ef. Rexhepi zhvilloi një vizitë edhe në Myftinë e Shkodrës, ku u prit nga Myftiu i saj, Imam Muhamed B. Sytari. Me këtë rast, Myftiu falënderoi kontributin e madh të mikut të nderuar, i cili në dekadat e shërbimeve në xhaminë më të vjetër të shqiptarëve në Zyrih ka përhapur me urtësi dhe pjekuri mesazhet e urta dhe largpamëse të fesë islame duke e bërë xhaminë e Zyrihut një pikë referimi për frekuentimin e saj, për rritjen e numrit të besimtarëve, rinisë në veçanti.

Kujtojmë, se gjatë Ramazanit, që sapo kaloi, Myftiu i Shkodrës ishte i ftuar në xhaminë shqiptare të Zyrihut, me ç’rast mbajti edhe një ligjëratë përpara besimtarëve të shumtë frekuentues të saj.

Për nder të kësaj vizite, Myftiu i dhuroi imamit të nderuar nga Zvicra kolanën e botimeve të Myftinisë Shkodër ndër vite.

Pas drekës së shtruar për nder të mikut, u vizitua edhe xhamia e Plumbit, e cila pritet të inaugurohet pas ditëve, me mbarësinë dhe bekimet e Allahut.