
8 maj 2025, dita e e përurimit protokollar të xhamisë së Plumbit
Ditën e hënë, më 6 maj 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shoqëruar nga këshilltarë dhe pjestarë të stafit të Myftinisë Shkodër, zhvilloi një inspektim përmbyllës në kantierin e përurimit të punimeve të restaurimit të xhamisë së Plumbit.
Pas lajmërimit zyrtar nga Ankaraja për caktimin e datës 8 maj 2025, si ditën e zhvillimit të ceremonive zyrtare të prerjes së shiritit të 101 objekteve të restauruara në mbarë botën, me mbarësinë dhe bekimet e Allahut të Madhëruar, ditën e enjte, më 8 maj 2025, në orën 12.30 nis edhe ceremonia zyrtare e prerjes së shiritit me rastin e përurimit protokollar të xhamisë së Plumbit.
Kjo ceremoni, e cila është në vazhdën e një vargu eventesh të ngjashme në shumë vende të botës, sipas një protokolli të parashikuar nga donatori, do të kulmojë me përshëndetjen e Presidentit të Türkiyes, Shkëlqesisë së Tij, Z. Rexhep Tajjip Erdogan, i cili do të urojë paralelisht disa prej këtyre ceremonive të mëdha, që Drejtoria e Përgjithshme e Fondacioneve, pranë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Türkiyes që zhvillon në disa vende të botës.
Është mirësi e madhe, që xhamia e Plumbit është përzgjedhur që të jetë në listën e kësaj përkujdesjeje të veçantë të qeverisë turke, përkujdesje e cila i dhuron sot, Myftinisë së Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë një objekt me histori të veçantë të trashëgimisë shpirtërore, të meremetuar dhe të kuruar me përkujdesje të veçantë, për t’u kthyer në një destinacion të shumë dëshiruar për bashkësinë muslimanë dhe për të gjithë vizitorët nga mbarë bota.
Myftiu i Shkodrës shprehu edhe njëherë falënderimet e tij për shtetin turk dhe ekipin e madh të inxhinierëve, ndërtuesve dhe punëtorëve që kanë marrë pjesë me shumë durim dhe përkushtim për restaurimin e xhamisë së Plumbit.
Me këtë rast, Myftinia Shkodër fton besimtarët dhe qytetarët e interesuar në ceremoninë protokollare të përurimit të xhamisë së Plumbit, që zhvillohet ditën e enjte, më 8 maj 2025, duke nisur nga ora 12.30.