Një botim me vlerë rreth më të vlefshmes temë!

Një botim me vlerë rreth më të vlefshmes temë!

Një botim me vlerë rreth më të vlefshmes temë!

Libri me titull: “Metodat e edukimit në Islam – Shembuj nga Profeti Muhammed (a.s.)”, me autor djalin tonë të mirë, mësuesin, kolegun, studiuesin dhe imamin e nderuar, Mr. Besim Barbullushi, është xhevahiri më i ri në kolanën e nderit të botimeve të Myftinisë Shkodër ndër vite.

Tashmë, numri i imamëve tanë të nderuar që me korrektësi dhe xhelozi për vlerat e tabanit dhe trashëgimisë shekullore islame ndër ne, po shkruajnë e po botojnë, sa vjen e shtohet, duke u përmirësuar edhe cilësia e prurjeve në raport me sasinë e tyre, duke u bërë tregues i mundësisë së pamohueshme të gjetjes së asaj që ka dobi dhe përhapjes së vlerave islame të regjistruara ndër rreshta në mesin e grupeve të interesit dhe masës së besimtarëve.

Autori i librit që promovojmë sot, ka kohë që trajton temën e edukimit. Më herët, në vitin e afërt 2023, ai na befasoi me librin e tij plot vlerë e dobi me titull: “Familja dhe edukata familjare e Muhammedit (a.s.)”.

Si të thuash, ditë pas dite, gjurmë pas gjurme dhe prodhim pas prodhimi, ai shenjon para të gjithëve aftësinë për të profilizuar tiparet e personalitetit të tij në rritje, në një fushë shumë delikate, ku çdo fjalë duhet matur mirë e çdo shembull duhet peshuar si duhet, për të ruajtur ritmet e mbrojtjes së tabanit dhe zhvillimit të tij në drejtim të shërbimeve ndaj edukimit të breznive, njëri pas tjetrit, duke pasur në qendër të vëmendjes përballjen me sfidat dhe problematikat e secilës periudhë.

Nëpërmjet shkrimeve jo të pakta, hytbeve të xhumasë, referateve dhe trajtesave shkencore të botuara edhe në gazetën “Udha Islame”, e përmuajshme e Myftinisë Shkodër, por jo vetëm, Mr. Besim Barbullushi, ka lënë gjurmën e tij me përgjegjësinë e plotë të atij, që kur flet, fjala i zë vend dhe, kur e thotë fjalën e tij, ajo duhet marrë me shumë seriozitet!

Në kohët që jetojmë, metodologjia e shfaqur në shembullin e Pejgamberit (alejhis-selam), vlen më së miri për të nxjerrë në pah tiparet e edukatorit që, realisht na mungon! Poashtu thuaj edhe për mësuesin, imamin, rregullatorin, prindin e pjekur, por jo vetëm, në komunikim me brezin e ri dhe përballjet e tij të përditshme në jetë!

Nga këtu, është me shumë rëndësi ajo që autori shënon, se: “Ky studim mbështetet në punën e pedagogëve perëndimorë të shekullit të 20-të, të cilët kanë kontribuuar në përmirësimin e procesit mësimor dhe në shqyrtimin e metodave të edukimit të Profetit Muhammed (a.s.). Si rezultat i studimeve të gjata dhe të thelluara, janë përcaktuar disa parime mësimore që janë të domosdoshme për një proces të suksesshëm mësimor… Ky hulumtim vlerëson parimet dhe teoritë moderne të mësimdhënies në kuadër të metodave unike të mësimdhënies së Profetit Muhammed (a.s.)… Ky studim synon të tregojë se shumë prej sugjerimeve për përmirësimin e arsimit janë zbatuar shekuj më parë nga Profeti Muhammed (a.s.). Kjo është një thirrje për të rikujtuar rëndësinë e metodave të tij të edukimit, të cilat mbeten relevante edhe në kontekstin e arsimit modern…” – (f.7-8) Dhe këtu fjalët mbyllen!

Akoma sot, vepra të tilla, si: “I Dërguari Mësues dhe metodat e tij në edukim”, i dijetarit të pashoq, Shejkh Abdulfettah Ebu Guddeh, apo: “Edukimi i fëmijëve në Islam”, i dijetarit dhe edukatorit, Abdullah Nasih Ulvan, me parathënie të Hoxhës tonë të madh dhe dijetarit të pashembullt shqiptar, Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi, mbeten pika referimi në këto tema me vlerë universal.

Kriza e identitetit tek një pjesë e konsiderueshme e të rinjve sot, lëkundja e imazhit të shembullit pozitiv (ka shumë rëndësi kthimi tek tema e shembullit në Kur’an, ku gjurmët e shumta të pejgamberëve mbeten shenja udhëzimi deri në ditën e gjykimit!), shtimi përherë e më shumë i elementëve provokativë para të rinjve, shoqëruar me hapjen e pakontrolluar të banalitetit, edhe si pasojë e ndikimit të pavetëdijshëm e të pakontrolluar të rrjeteve sociale, shoqëruar edhe me ngurtësimin e marrëdhënies prind-fëmijë, mësues-nxënës, edukator-kërkues i së vërtetave, ngre alarme përherë e më të frikshme, para të cilëve, të gjithë duhet të jemi më vigjilentë e më bashkëpunues në drejtim të përmirësimit.

Një person erdhi tek dijetari i shquar algjerian, Shejkh Atije Mesudi (v. 1989) dhe e pyeti: Zotëria im, dëgjojmë shpesh njerëzit të flasin për gogolin, çfarë është ai? Hoxha, që njihej për zgjuarsinë dhe inteligjencën e tij, ia ktheu: “A ke dëshirë ta shohësh e ta njohësh gogolin?” Personi pohoi. Hoxha vazhdoi: “Hiqe frikën e Allahut nga zemra jote dhe turpin nga fytyra jote, do të bëhesh ti vetë gogol!”

Ndërkohë, në gusht të vitit 1926, nga faqet e revistës “Zani i Naltë”, Lumo Skëndo, në shkrimin e tij me titull: “Edeb, jahu!”, teksa i referohet degjenerimit të fjalorit të rinisë në atë kohë, ndër të tjera thekson se: “Të shartë dëfton tri sende, tri sëmundje: 1. Ose njeni që përdorë fjalë të ndyra dhe të liga, është nji njeri i lig me zemër të keqe, pa dhimpshuri dhe naltësi shpirti. 2. Ose ka një edukatë harbute i rritun me njerëz pa arsim dhe pa delikatesë. 3. Ose është indiferent, nuk ve re çë thotë, nuk shquen të mirën nga e keqja, rron si nji drû, si nji dhí e egër, vetëm me lumtërin e nevojës dhe të dëfrimit t’ultë…”.[1]

Për ta mbyllur, uroj përzemërsisht imamin e nderuar, Mr. Besim Barbullushi për këtë mirësi dhe tërheqje vëmendje që na bën, për ta na zgjuar në drejtim të një teme, që qëndron mbi krejt temat: edukimi dhe përkujdesja për të sotmin dhe atë që vjen.

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 24/4/2025

_________________

[1] Lumo Skëndo, “Edeb, jahu!”, në revistën “Zani i Naltë”, nr. 1, Tiranë, gusht, 1926, f. 28.