Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i dërgoi një mesazh urimi Myftiut të ri të Stambollit, prof. dr. Hasan Kamil Yilmaz, me rastin e marrjes së detyrës së re, në krye të Myftinisë së Stambollit.
Në mesazhin e tij, Myftiu i Shkodrës, ndër të tjera uroi Myftiun e ri të Stambollit: “Nëpërmjet informacioneve zyrtare, mësova për emërimin tuaj në postin e Myftiut të Stambollit. Një lajm i tillë më gëzoi pa masë, aq më tepër duke ju njohur nga afër ju dhe aftësitë tuaja shkencore dhe administrative.
Për këtë, më lejoni që në emrin tim personal dhe të Myftinisë Shkodër, t’ju drejtohem me këtë mesazh urimi, me lutjet më të përzemërta, që All-llahu i Madhëruar t’ju japë mbarësi dhe sukses në detyrën e re dhe drejtimin e saj!
Atij (a.xh) i lutem që të vazhdoni të rrezatoni mirësi, dije dhe urtësi!
Sikurse shpresoj dhe lutem me zemër, që bashkëpunimi i Myftinisë së Stambollit me Myftininë e Shkodrës të ketë rritje dhe zhvillime të reja, në dobi të Thirrjes Islame dhe zhvillimit të saj!”
Myftiu i Shkodrës e ftoi Myftiun e ri të Stambollit për një vizitë zyrtare në qytetin e Shkodrës, të cilin, prof. dr. Hasan Kamil Yilmaz e ka vizituar edhe disa herë të tjera, edhe në detyrën e zv/Kryetarit të Dijanetit të Turqisë.