XHAMIA E KALASË, INTERVISTË E MYFTIUT TË SHKODRËS PËR “GAZETA SHQIPTARE”

Ditën e xhuma, më 13 janar 2017, në “Gazeta Shqiptare” u botua intervista që Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari dha për gazetaren Fatmira Nikolli. Më poshtë, intervista e plotë.

 -Në një intervistë të botuar dje në “Gazeta Shqiptare”, prof. Aleksander Meksi, argumenton se objekti- Monumenti i Kulturës në Kalanë e Shkodrës, ka qenë së pari kishë dhe më pas është kthyer në xhami, me një dekret të Sulltanit me rënien e Shkodrës, në janar të vitit 1479.   Ai propozon që objekti të bëhet muze për kalanë pasi t’i nënshtrohet një restaurimi. A jeni ju dakord që të kthehet në muze?

“Myftinia Shkodër e ka thënë fjalën e saj në lidhje me rrënojat e Xhamisë shekullore të Sulltan Mehmet Fatihut në kalanë e Shkodrës. Në shumë kala të vendit ekzistojnë xhami të tilla, si rasti i asaj në kalanë e Prezës, që u inaugurua vitin 2015, edhe me praninë e presidentit të Turqisë, z. Taip Rexhep Erdogan, falë investimit të organizatës qeveritare turke, TIKA.

Një bashkëpunim i shtetit shqiptar me atë turk në këtë drejtim, do të ishte mëse i duhur dhe me dobi. Edhe pse, mendoj se restaurimi i xhamisë shekullore të kalasë së Shkodrës mund të bëhet edhe me financime të vetë qeverisë shqiptare, pasi ajo mbetet një gjurmë e rëndësishme e trashëgimisë sonë shpirtërore kombëtare.”

-A do ishte me vend që të merrej shembull- Bazilika e Shën Sofisë në Stamboll, që pasi u bë Xhami nga Sulltan Mehmeti për një kohë të gjatë, sot shërben si muze?

“Turqia dhe Shqipëria janë dy realitete të ndryshme, që bashkohen në shumë pika dhe ndahen në shumë të tjera. Është e vërtetë se Xhamia e Aya Sofisë është një muze i bukur, që dëshmon mbi të gjitha madhështinë e tolerancës islame, të trashëguar ndër shekuj nga muslimanët e krejt botës dhe e spikatur në ditët e Hilafetit Osman.”

– A lidhet edhe historia e këtij objekti me historinë e vetë Shqipërisë dhe të vetë feve, ku në fillim erdhi Krishtërimi e më pas Islami?

“Krishtërimi dhe Islami janë dy fetë kryesore të shqiptarëve, ku secila prej tyre ka ndërtuar vlera dhe mirësi, që rrezatohen shumë mirë edhe në marëdhëniet e mrekullueshme ndërfetare në mesin e qytetarëve të vendit tonë, sot e mot.

Ndërkohë, xhamia shekullore e kalasë së Shkodrës, mendoj se hyn në atë pjesë, për të cilën shkruan edhe Hamdi Bushati, kur thotë, se: “a ishte kjo xhami ma parë kishë nuk dihet me siguri se nuk ka ndonjë dokument real që ta vërtetojë…”.[1]

-Prej vitesh, komuniteti i krishterë dhe ai mysliman në Shkodër, kanë debatuar në distancë, për objektin, pasi të dyja palët e pretendoni. A jeni ulur të bisedoni dy komunitetet, për gjetjen e zgjidhjes?  Cila është zgjidhja që ju propozoni?

“Kemi biseduar disa herë në lidhje me këtë temë me drejtuesit më të lartë të Kishës Katolike dhe asaj Ortodokse në Shkodër. Myftinia Shkodër e konsideron veprimin e Kishës Katolike si një provokim të panevojshëm, që prek kufijtë e harmonisë ndërfetare dhe krijon reagime të panevojshme në mesin e besimtarëve dhe qytetarëve të Shkodrës. Këtë shqetësim dhe reagimin tonë mospranues të këtij veprimi ia kemi komunikuar edhe zyrtarisht, si Arqipeshkvisë Shkodër-Pult, si Ministrisë së Kulturës, si Bashkisë Shkodër etj.

Zgjidhja është e qartë: Xhamia shekullore e kalasë së Shkodrës, është një objekt adhurimi, që i përket atij komunitet, që për shumë shekuj e ka shfrytëzuar legjitmisht dhe, të cilin, pavarësimi i vendit e gjet xhami, pavarësisht faktit shumë me rëndësi, se qyteti ishte zhvendosur nga kalaja dhe zona përreth dhe, natyrshëm ajo xhami kishte dalë thuajse krejtësisht jashtë funksionit praktik!”

– Në intervistën tuaj për “TRT” shqip, ju shpreheni se objekti është xhami dhe se nuk keni të dhëna që ka qenë kishë. Meqë ka studiues që pretendojnë se objekti ka shërbyer edhe si kishë, edhe si xhami, a do të ishte e pëlqyeshme, që edhe komuniteti mysliman edhe ai katolik, të kryente shërbesa fetare në këtë objekt, secili komunitet me rastet e festave të veta?  

“Muslimanët falen në xhami, të krishterët (këtu, katolikët) në kisha. Emërtimi kishë-xhami i një objekti adhurimi ëshë krejtësisht qesharak dhe abuzues. Nuk ka asnjë lidhje me temën e harmonisë ndërfetare.

Sot, falë Zotit ne shqiptarët e krejt besimeve jetojmë në një hapësirë kohore, kur secili komunitet ka objektet e veta të adhurimit; diku ka xhami e diku kisha, diku ka teqe e diku tjetër manastire, që secila prej tyre kryen një funksion të caktuar, bazuar mbi një logjikë fetare dhe identitare. Ky diversitet, është një vlerë e bukur në mozaikun e vlerave tona kombëtare, që duhet mirëmbajtur dhe ruajtur me shumë kujdes e fanatizëm legjitim.

Xhamia shekullore e kalasë së Shkodrës, është pa dyshim një vend-adhurimi i lashtë, që dëshmon më së miri detaje të një historie fetare dhe rrethanave të saj.”


[1] Hamdi Bushati, vepra: “Shkodra dhe motet”, botimi i dytë i rishikuar, Shkodër, 2005, vëll. I, f. 163.