Ditën e mërkurë, më 8 shkurt 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune me një grup imamësh të qytetit dhe fshatit.
Në qendër të vëmendjes së këtij takimi ishin provokimet primitive, me të cilat përballen muslimanët e vendit gjatë këtyre ditëve, imamët, mësuesit e Medresesë etj.
Myftiu theksoi se këto kohë janë të rrethuara nga injoranca primitive dhe provokimet e shumta ndaj komunitetit tonë, sidomos nga rrjetet sociale, disa media në veçanti, por edhe institucione që nuk respektojnë veten dhe tejkalojnë kufijtë e logjikes në vitin 2017.
Myftiu tha se detyra e imamëve është të vazhdojnë thirrjen e tyre të pastër, të punojnë pa ndërprerje me rininë dhe të distancohen nga provokimet banale, që janë kthyer në dëshmi të një ekstremizmi të pakontrolluar dhe islamofobik ndaj Islamit dhe muslimanëve në këtë vend!
“Nuk do ta ndalim hovin e aktivitetit tonë as për hatrin e ca mediave-kërpudha të provincializmit, që gjithësesi nuk përfaqësojnë Shkodrën dhe shpirtin e qytetarisë sonë, edhe pse shpesh fshihen pas emrit të madh të Shkodrës, as për injorancën ekstreme të komenteve dhe kërcënimeve ekstremiste, as për individë që duhet t’u tregohet kufiri në marrëdhëniet tona institucionale!” – tha ndër të tjera Myftiu.
Myftiu tërhoqi vëmendjen edhe për disa çështje të brendshme, që lidhen me dinamikën e Thirrjes Islame në Shkodër dhe përtej saj.
Nga ana e tyre, imamët shprehën indinjatën e tyre edhe për debatet shterpë që lidhen me xhaminë e Sulltan Mehmet Fatihut dhe dhanë mendime të shumta rreth kësaj teme.
Njëkohësisht u caktua edhe data e konferencës së 6-të të përvitshme të imamëve dhe këshillave të Myftinisë Shkodër etj.