Dita e parë e Kurban Bajramit të sivjetshëm erdhi plot dritë e rreze dielli për qindra fëmijë, të cilët u mblodhën në oborrin e xhamisë së Parrucës për të festuar sëbashku, në një organizim plot vlerë në gjurmët e një tradite që sa vjen e merr formë e legjitimitet.
Në fjalën e rastit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, u lut për bekime e shëndet, mirësi e lumturi për fëmijët tanë, duke theksuar se gëzimi i fëmijëve na jep dritë e shpresë të gjithëve dhe ia shton vlerat shoqërisë.
Myftiu falënderoi edhe ekipin e mësueseve dhe vajzave vullnetare, që nën drejtimin e edukatores Kimete Sylja, bënë një punë të madhe plot përkushtim e dashuri për fëmijët.
Mbi njëmijë pako me dhurata, vizatime, recitime e lojëra argëtuese, nën shoqërinë e ilahive të përzgjedhura për këtë event, ia shtuan gjallërinë kësaj dite të bekuar, duke përcjell një mesazh të madh për të gjithë: Më shumë investim për fëmijët, më shumë dritë për shoqërinë!
Prindër të shumtë shfaqën falënderime e mirënjohje për Myftininë Shkodër për këtë aktivitet, duke u shprehur të gatshëm që të japin kontributet e tyre në çdo kohë, për shtimin e këtyre hapësirave argëtuese dhe edukative për fëmijët e tyre.