Vizitë e delegacionit të xhamisë “Drita”, Luzern të Zvicrës në Myftininë Shkodër
Në kuadër të një vizite katër ditore në Shqipëri, një delegacion nga xhamia “Drita”, kantoni Luzern në Zvicër nën drejtimin e kryetarit të saj, z. Fadil Asani, zhvilloi të shtunën, më 6 dhjetor 2025, një vizitë në Myftininë Shkodër.
Delegacioni u prit nga teologu Arben Halluni, i cili pasi i falënderoi për vizitën dhe mikpritjen e ndërsjellë, prezantoi një tablo të gjerë mbi jetën fetare në Shkodër si dhe për të gjitha aktivitetet kulturore, arsimore, etj në institucionin e Myftinisë Shkodër.
Teologu Halluni vlerësoi dhe çmoi gjithashtu punën dhe misionin islam që kryejnë qendrat dhe xhamitë shqiptare në Zvicër, ndër to edhe xhamia “Drita”, për rolin e tyre në ruajtjen e identitetit dhe edukimit fetar të komunitetit.
Gjatë takimit u diskutua mbi aktivitetet e Myftinisë Shkodër, rolin e saj në komunitet, rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë islame dhe historinë e pasur fetare të qytetit.
Ndërsa z. Asani shprehu vlerësim të veçantë për punën e Myftinisë Shkodër dhe për kontributin e saj në përhapjen e vlerave shpirtërore dhe kulturore.
Në shenjë respekti dhe miqësie, përfaqësuesit e të dy institucioneve shkëmbyen dhurata simbolike, duke nënvizuar dëshirën për forcimin dhe thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Pas takimit, delegacioni i xhamisë “Drita” i shoqëruar nga imami i xhamisë Barbullush, H. Ervis Molla, vizitoi disa nga xhamitë më të rëndësishme të Shkodrës, përfshirë xhaminë e Parrucës, xhaminë “Ebu Beker”, xhaminë e Plumbit, etj, ku u njohën nga afër me historinë, arkitekturën dhe trashëgiminë islame që karakterizon qytetin e Shkodrës.








