
Takim pune me imamët e Zonës Administrative Postribë
Paraditën e së enjtes, më 4 shtator 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune me imamët e xhamive: Boks, Dragoç, Mes-Myselim, Domën, Kalaja e Drishtit, Kullaj, Omaraj dhe Milan-Rrasek, me të cilët diskutoi rreth aktivitetit fetar në zonën e Postribës dhe zhvillimin e jetës fetare në të.
Gjatë këtij takimi u diskutua rreth frekuentimit të xhamive dhe problematikës së ndalimit të nxënësve të shkollave për të marrë pjesë në faljen e namazit të xhumasë.
Në këtë kontekst, Myftiu solli në vëmendje të imamëve të nderuar idenë e ardhur në Myftininë e Shkodrës për marrjen në shfrytëzim të një ambienti në qendër të Urës së Mesit, që do të shërbejë si vend faljeje për nxënësit dhe punonjësit e administratës dhe jo vetëm, prej vëllezërve që e kanë të pamundur prezantimin në xhami për namazin e xhumasë në orarin zyrtar.
Poashtu u diskutua rreth punimeve që po bëhen në xhaminë e Drishtit, nevojën që ka xhamia e Omarajve për ndërtimin e minaresë, nevojat e xhamisë së Domnit, gjendjen aktuale të xhamisë së kalasë së Drishtit, aktivitetet e xhamisë në Mes-Myselim, problematikën e faturave abuzive të ujit në xhaminë e Dragoçit, etj.
U dhanë udhëzime për ruajtjen e frymës së vëllazërisë islame, sikurse u mirëprit kërkesa për qarkullimin e imamëve të zonës në xhamitë e saj.