Përse e kërkojmë Natën e Kadrit?
Ditën e xhuma, më 13 mars 2026, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zgjodhi xhaminë e fshatit Trush për të falur namazin e jacisë dhe të teravisë me besimtarët e shumtë të pranishëm në këtë xhami.
Në prag të namazit të teravisë, Myftiu iu drejtua besimtarëve me një këshillë fetare, nëpërmjet të cilës hodhi dritë rreth vlerave dhe madhështisë së Natës së Kadrit, sikurse ftoi besimtarët që të shfrytëzojnë maksimalisht kohën e ngelur nga 10 ditët e fundit të muajit Ramazan 1447.
Në fjalën e tij, Myftiu iu referua ajeteve të sures El-Kadr, ku Zoti i gjithësisë na tregon për madhështinë e Natës së Kadrit, e cila është “Më e mirë se sa njëmijë muaj!”.
Në këtë kontekst, Myftiu vuri theksin tek mëshira e madhe dhe e pakufishme, me të cilën Zoti i gjithësisë i drejtohet besimtarëve për t’i ftuar drejt dashnisë së Tij, për t’i pastruar nga gabimet dhe gjynahet, për t’i pranuar veprat dhe adhurimet e tyre dhe për t’i lartësuar në gradat më të larta të njerëzve të përkushtuar.
Gjatë fjalës së tij, Myftiu falënderoi njëkohësisht imamin e xhamisë, H. Jetmir Braqi dhe ndihmësin e tij, H. Elsamed Tula, i cili shërben njëkohësisht edhe në xhaminë e fshatit Golem, për përkushtimin e tyre, për mirëmbajtjen e xhamisë së Trushit, e cila mbetet një shembull i mirë i organizimit të jetës fetare, i pranisë së djemve të rinj dhe besimtarëve të shumtë, që e frekuentojnë xhaminë në aktivitete të ndryshëm dhe veçanërisht gjatë Muajit të Begatë të Ramazanit.

