Sofra e iftarit që bashkon zemrat
Në një atmosferë të ngrohtë solidariteti, mbrëmjen e së shtunës, më 15 mars 2026, u shtrua një sofër iftari e cila mblodhi së bashku besimtarë në frymën e Muajit të Begatë të Ramazanit.
Në koordinim me Myftininë Shkodër, ky iftar u shtrua me bujari nga këngëtari i mirënjohur shkodran z. Bujar Qamili, në një gjest fisnik që pasqyron vlerat e solidaritetit dhe bamirësisë që karakterizojnë këtë Muaj të Shenjtë.
Në këtë iftar mori pjesë edhe teologu Arben Halluni, i cili në përshëndetjen e tij në emër të Myftinisë Shkodër duke vlerësuar rëndësinë që ka muaji i Ramazanit në forcimin e lidhjeve mes njerëzve dhe në kultivimin e ndjenjës së ndihmës dhe kujdesit për njëri-tjetrin, shprehu gjithashtu falënderimin dhe mirënjohjen për bujarinë e treguar nga këngëtari Bujar Qamili për organizimin e këtij iftari, duke e cilësuar këtë si një vepër të mirë dhe një shembull të bukur solidariteti në muajin e Ramazanit.
Iftari kaloi në një atmosferë shumë të ngrohtë dhe miqësore, ndërsa të besimtarët ndanë së bashku momentin e iftarit, duke u lutur që Zoti Fuqiplotë t’ua pranojë agjërimin dhe veprat e mira të këtij Muaji të Begatë.




