Ceremoni me Dua dhe Hatme Sherife në xhaminë e Parrucës
Në kuadër të aktiviteteve të Muajit të Begatë të Ramazanit, Myftinia Shkodër organizoi ceremoninë e Duasë dhe Hatmes Sherife, e cila u zhvillua ditën e hënë, më 16 mars 2026, pas namazit të ikindisë, në xhaminë e Parrucës.
Në fillim të këtij tubimi shpirtëror, teologu Arben Halluni mbajti një fjalë përshëndetëse dhe një mesazh të veçantë mbi madhështinë e Natës së Kadrit, duke theksuar rëndësinë që ka lidhja e besimtarit me Librin e Shenjtë, veçanërisht gjatë muajit të Ramazanit.
Në fjalën e tij, ai falënderoi imamët dhe hoxhallarët, të cilët gjatë gjithë muajit të Ramazanit kanë drejtuar me përkushtim mukabelen e përditshme, duke bërë leximin e plotë të Kur’anit Famëlartë dhe duke i dhënë gjallëri xhamive me zërin e fjalës hyjnore.
Ai theksoi se kjo traditë e bukur është një dëshmi e dashurisë së besimtarëve për Kur’anin Famëlartë dhe një mënyrë për ta përjetuar Ramazanin në aspektin e tij më të thellë shpirtëror.
Në përfundim të këtij programi u bë dua-lutja e Hatmes Sherife, ku besimtarët e pranishëm iu drejtuan Allahut (xh.sh) me lutje për mëshirë, falje, paqe dhe begati për familjet e tyre, për qytetin e Shkodrës dhe për mbarë ymetin dhe njerëzimin.












