Pasditën e së mërkurës, më 17 maj 2017, në vijim të ciklit të ligjëratave në prag të Ramazanit 1438/2017, Myftinia Shkodër organizoi në oborrin e xhamisë së fshatit Oblikë, Ana e Malit, një aktivitet të dobishëm me ligjërata të larmishme mbi vlerat e Muajit të Ramazanit në ngulitjen e besimit në jetë, pastrimin e individit dhe shoqërisë nga veset, lëngatat, smira e zilia, përgojimi e mosrespekti në familje e farefis etj.
Të pranishmit ndoqën me vëmendje ligjëratat e imamëve të nderuar, që u paraprinë nga një mesazh i mbajtur nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili nxiti leximin e duhur të ajeteve dhe haditheve të përkushtimit, që forcojnë vetëdijen islame dhe ecurinë e muslimanit në jetë.
Sipas programit, u pezantuan ligjëratat e mëposhtme:
1. “Agjërimi dhe forcimi i marrëdhënieve familjare”, nga imami i xhamisë së “Dy Vajzave”, teologu Lavdrim Hamja.
2. “Ramazani, muaj i qetësisë shpirtërore”, nga imami i xhamisë së Dudasit, teologu Adrian Uraj.
3. “Edukata e agjëruesit: Unë jam agjërueshëm!”, nga imami i xhamisë së Dërgutit, teologu Ervil Kuçi.
Ndërkohë, ditën e enjte, më 18 maj 2017, ora: 12.00, do të zhvillohet ceremonia e përurimit të xhamisë së re në Krye-Bushat.