Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të Vetëm të gjithësisë, Atij që na krijoi nga asgjëja dhe na bëri të shkelim në tokën e Tij, na dhuroi prej mirësive të panumërta, na krijoi mundësinë të hedhim vështrimet përreth, të dallojmë të mirën nga e keqja, pasi na e sqaroi secilën prej tyre nëpërmjet Kur’anit Famëlartë dhe Traditave të shumta të Hz. Muhammedit (a.s)!
Në këtë jetë kalimtare, All-llahu i Madhëruar nuk e la njeriun vetëm. Me qindra mijëra të dërguar nga ana e Tij, për ta udhëzuar rrugëtimin e njeriut në këtë botë kalimtare. Shumë shpallje e Libra të shenjtë, që njeriu mos të devijonte rrugën.., ndërkohë sot, në vitin 2017, fatkeqësisht njerëzimi e bota ndodhen në gremina të frikshme të dekadencës morale, shpirtërore, intelektuale e përtej!
Atij i qofshim falë që e bëri Muajin e Madhërishëm të Ramazanit, një mundësi të përvitshme ndryshimi, sistemimi, rregullimi e ndreqjeje të marrëdhënies me veten, me Madhërinë e Tij, me botën dhe krejt krijesat përreth nesh!
Të dashur dhe të nderuar vëllezër e motra, besimtarë,
Po të lexojmë me vëmendje kurbën e ajeteve të shpallura në hak të agjërimit të Ramazanit, do të gjejmë një dukuri të mrekullueshme, që lidhet drejtpërsëdrejti me mundësitë që na afron Muaji Ramazan drejt afrimit dhe përfitimit nga Mëshira dhe Begatitë e shumta që shpërndahen për besimtarët e përkushtuar, rrugëtues drejt perfeksionimit të konceptit të përkushtimit (takvasë) në jetë, gjatë këtij Muaji.
Dëgjoni me vëmendje, ju dëgjoftë zemra dhe shpirti:
Ajeti 183:
“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”[1] – (Prezantimi me dispozitën e agjërimit dhe shpallja botërisht se ai është një adhurim i njohur në historinë e njerëzimit, nga krejt popujt e shkuar).
Fillimi i ajetit 184:
“(Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju.…”[2] – (Toleranca dhe lehtësimi për krejt grupet e njerëzve me justifikime objektive, të sqaruara në ajet, si udhëtarët, sidomos në rrugëtime të gjata e të lodhshme, të sëmurët e pamundur etj).
Fillimi i ajetit 185:
“Muaji i Ramazanit, është ai, në të cilin nisi të shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)…”[3] – (Fokusimi tek shpallja e Kur’anit, si një stacion që duhet marrë në konsideratë gjatë gjithë jetës, por veçanërisht në Ramazan. Ky Kur’an, për të cilin thotë në Librin e Tij: “Sikur Ne ta zbritnim këtë Kur’an mbi ndonjë mal, do ta shihje atë të strukur e të çarë prej frikës nga All-llahu…”[4]).
Fillimi i ajetit 186:
“E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua!”[5] – (Shpallja botërisht e komunikimit pa ndërmjetës, nëpërmjet lutjes, që është arma më e fuqishme e çdo njeriu, pa dallim feje, race, kombësie, përkatësie!)
Pra, të dashurit e mi, vetëm duke vështruar sipërfaqësisht në këto katër ajete, lexojmë qartas hartën e begatë të Ramazanit, që nis me agjërimin e plotë të tij, na përkujton tolerancën dhe lehtësimin, si parim jete për muslimanin, ndalet tek Kur’ani Famëlartë, si udhërrëfyes i patjetërsueshëm në jetë, si dhe pushon tek lutja, si vendtubimi i krejt atyre, që besojnë tek Zoti i gjithësisë.
Të dashur e të nderuar të pranishëm,
Nga ky minber, i dërgojmë salavatet dhe selamet më të përzemërta, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), të dërguarit mëshirë për krejt tanësinë.
Zotëria i jonë (a.s) thoshte: “Kur vjen Ramazani hapen dyert e xhennetit, mbyllen dyert e xhehnemit dhe lidhen shejtanët”[6], si për të na shpjeguar se ky muaj është Muaj i Paqes, i qetësisë shpirtërore, i atmosferës më të bekuar të krejt vitit, si dhe një Muaj, ku gjithësia është në shërbim të besimtarit; e mira zbret nga qielli, toka mbushet me bekim dhe influenca e të mallkuarit nëpërmjet cytjeve të tij është inekzistente.
Mirëpo, në këtë kontekst ka disa dilema, që dua të sqaroj:
Hapja e dyerve të xhennetit dhe mbyllja e dyerve të xhehnemit:
Transmetohet se: “Sikur ta dinin njerëzit mirësinë e Ramazanit, do të dëshironte ymmeti im që krejt viti të ishte Ramazan. Dhe, sikur t’ia lejonte Zoti qiejve dhe tokës të flisnin, ato do të dëshmonin xhennetin për ata që agjërojnë Ramazanin!”[7]
Pra, gjithësia është e angazhuar për të dëshmuar vlerat e këtij muaj, përsosmëria e të cilit shpie drejt xhennetit dhe e mbron të zotin nga ndëshkimi i ditës së gjykimit!
Poashtu, transmetohet se Resulull-llahu (a.s), ka thënë: “Pesë namazet ditore, nga e xhumaja në të xhuma dhe nga Ramazani në Ramazan, bëhen shkak për faljen e gjynaheve në mes tyre, nëse njeriu largohet nga gjynahet e mëdha!”[8], që do të thotë edhe se, Ramazani është një stinë e begatë faljeje, mëshire dhe bekimi, që shpie në xhennet dhe largon nga ndëshkimi i xhehnemit!
Lidhja e shejtanëve:
Ka sot, kanale televizive, rrjete sociale e publikime të shkruara, që e nxjerrin shejtanin në pension! Sikurse ka edhe njerëz të pakursyer në misionin e tyre, që punojnë ditë-natë kundër besimit dhe besimtarëve, kundër fesë së All-llahut dhe Dritës së saj.
Sa herë jemi ngushtuar vitet që kaluan nga koncertet e zhurmshme, “festat” rinore e ato të pijeve të haramit, që janë zhvilluar para Bashkisë, pak metra larg xhamisë së Parrucës a para xhamisë “Ebu Bekër”?! Nuk i duam këto tubime para dyerve të shtëpive tona dhe xhamive të muslimanëve! Duam që institucionet tona të respektojnë tabanin e besimit dhe qytetarisë së muslimanëve dhe të mos bëjnë veshin shurdh, sa herë kërkojmë legjitimisht respektimin e simbolikave të fesë dhe identitetit tone!
Sa herë e kemi ngritur zërin tek institucionet tona, tek biznesi, politika etj., që të respektohet Ramazani, të respektohet feja e Zotit dhe shenjtëria e tij, por jo përherë kemi marrë përgjigjen e pritur?!
Sa jemi befasuar, kur dëgjuam dy aktorët kryesorë të politikës së sotme shqiptare, që caktuan si datë të zgjedhjeve të sivjetshme, ditën e Fitër Bajramit, një fenomen që besoj se as në kohën e errët të sistemit ateo-komunist nuk mund të ketë ndodhur, edhe pse asokohe feja ishte e ndaluar me ligj!?
(Natyrshëm, për këtë të fundit, ne do të presim reagimin zyrtar të Komunitetit tonë, porse, në mënyrë kategorike, e refuzojmë që dikush të prekë, me sado neglizhencë të paqëllimtë, harresë të imponuar nga presione të lodhshme a pakujdes ndaj shenjtërive të 70% të popullit shqiptar, por edhe të qoftë 1% të tij, sepse shenjtëritë janë më të denja për t’u respektuar dhe nderuar, se krejt zgjedhjet e botës, sikurse Festat tona fetare janë të shenjta dhe pjesë solide e boshtit tonë kombëtar, prekja e të cilit duhet të jetë për këdo e kurdo, kufi i ndaluar!)
Pra, të dashurit e mi, lidhja e shejtanëve, duhet kuptuar si një mundësi që na jepet për të kontrolluar veten e për ta vendosur atë në peshoren e besimit, për të parë me sy të lirë sesa jemi ndikuar nga e keqja dhe jemi bërë pjesë e saj gjatë 11 muajve të shkuar dhe sa jemi në gjendje ta mposhtim atë, duke rrugëtuar agjërueshëm drejt dyerve të lehtësimit e tolerancës, Kur’anit dhe lutjes!
Qoftë i mbarë dhe plot bekim për krejt ju, ky Muaj!
Bekimet dhe mëshira e All-llahut u përhapshin si pelerinë Paqeje mbi Shkodër, Shqipëri, mbi ymmetin islam e mbarë njerëzinë! Amin!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbeja e mbajtur më 19 maj 2017 në xhaminë e Parucës,
në prag të Ramazanit 1438/2017)
[1] Kur’ani, El-Bekare: 183.
[2] Kur’ani, El-Bekare: 184.
[3] Kur’ani, El-Bekare: 185.
[4] Kur’ani, El-Hashr: 21.
[5] Kur’ani, El-Bekare: 186.
[6] Transmetuar nga Nesiau.
[7] Imam El-Ebshihi, “El-Mustatraf”, Bejrut 1981, f. 39.
[8] Transmetuar nga Muslimi, nga Ebu Hurejra (r.a).