Pasditen e së shtunës, më 20 maj 2017, Myftinia Shkodër organizoi ceremoninë tradicionale: “Sofra e Kur’anit”, në prag të Muajit Ramazan.
Hafizë të nderuar nga Stambolli, Ankaraja, Shkupi etj, prezantuan lexime të mrekullueshme nga Kur’ani Famëlartë.
Të nderuarit Ilham Tabak, Osman Evgin, Ibrahim Sherifi, Adnan Kadri dhe Avni Hasani, e hijeshuan atmosferën e këtij prag Ramazani me leximet e tyre, që tërhoqën vëmendjen e të ftuarve të shumtë, por edhe të kalimtarëve të shumtë, që shijuan këtë mirësi besimi.
Aktivitetin e përshëndeti edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili theksoi se realitetet e sotme janë mbushur me hipokrizi dhe sëmundje morale e shpirtërore dhe se Ramazani është mundësi reflektimi dhe kthimi me pendim nga Zoti.
Myfiu u përqendrua tek lutja kur’anore: “Thuaj: Namazi im, adhurimet e mia, jeta ime dhe vdekja ime janë për All-llahun, Zotin e botrave”, duke theksur se sot, ka shumë njerëz që shesin shpirtin e fenë, dinjitetin dhe moralin, për interesa kalimtare të kësaj bote të ngushtë.
Ai kërkoi që të kthehemi nga Kur’ani dhe të gjejmë kurajon për të jetuar me dinjitet, duke mos u nënshtruar para shejtanëve të shumtë në jetë.